Presidenti Donald Trump ka mbështetur një masë legjislative që synon të ulë në mënyrë drastike numrin e imigrantëve të pakualifikuar që pranohen në Shtetet e Bashkuara. Projekt-ligji propozon një sistem me pikë, ku aplikantët të renditen në bazë të aftësive që zotërojnë.
I rrethuar nga senatorët Tom Cotton nga Arkansa dhe David Perdue nga Xhorxhia, Presidenti Trump shprehu mbështetjen për projekt-ligjin që synon të reduktojë 50% imigrancionin e ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti e cilësoi propozimin “reforma më e rëndësishme në gjysmë shekulli për sistemin tonë të imigracionit”.
“Ky propozim dëshmon se ne e kuptojmë gjendjen e familjeve amerikane në vështirësi. Ata kanë nevojë për një sistem që vë në plan të parë interesat e tyre dhe të Amerikës,” tha presidenti.
Senatorët Cotton dhe Perdue thanë se dyndja e imigrantëve pa kualifikim ka sjellë rënien e pagave për punëtorët amerikanë:
“Të gjithë e pranojmë se synimi i sistemit tonë të imigracionit duhet të jetë të mbrojmë interesat e punëtorëve amerikanë, përfshirë të imigrantëve, të mirëpresim individë të talentuar që vijnë këtu në mënyrë të ligjshme për të punuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë,” tha Senatori David Perdeu.
Këshilltari i presidentit, Stephen Miller tha se një element i rëndësishëm i propozimit është se eliminon të ashtu-quajturin “imigracion zinxhir”.
“Individët që fitojnë lejen e qëndrimit të përhershëm aktualisht mund të sjellin një të afërm të moshuar, i cili automatikisht fillon të përfitojë nga asistenca sociale nëse nuk është në gjendje të përballojë nevojat vetë. Ai person më pas mund të sjellë një të afërm tjetër, i cili sjell një të afërm tjetër… prandaj quhet imigracion zinxhir,” tha zoti Miller.
Sistemi i propozuar favorizon aplikantët që flasin anglisht, të cilët kanë kualifikim dhe fonde të mjaftueshme për të mbajtur veten.
Demokratët dhe disa republikanë si dhe shumë grupe për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë propozimin, duke thënë se do të ketë efektin e kundërt:
“Shumë imigrantë pa kualifikim japin një kontribut jetik në këtë vend. Ata ndihmojnë në funksionimin e fermave, në fabrika, por edhe në shtëpi të amerikanëve. Pa këta njerëz të gjithë ne do ta kemi shumë më të vështirë të bëjmë punët që kemi, do të jetë më i vështirë funksionimi i ekonomisë,” thotë Kim Rueben e Institutit Urban.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se mbështetja që i dha zoti Trump propozimit është një përpjekje për të inkurajuar debatin kombëtar mbi imigracionin për t’i dhënë shtysë drejt zgjidhjes një prej premtimeve të tij kryesore në fushatë. Por nuk është e qartë nëse Kongresi do ta hedhë së shpejti në votë propozimin.