Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë praninë e trupave të tyre në rajonin e Europës lindore, për t’iu përgjigjur “agresivitetit të Rusisë”, kanë deklaruar burime ushtarake, njofton TCH.
Duke filluar nga viti i ardhshëm, tre brigada luftarake amerikane të armatosura do të vendosen në vendet e rajonit.
Korrespondenti diplomatik i BBC thotë se, kjo nismë do të jetë përforcimi më domethënës amerikan i NATO-s që nga rritja e tensioneve për shkak të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Muajin e kaluar, Pentagoni njoftoi planet e tij për të katërfishuar buxhetin për mbrojtjen europiane në vitin 2017. Prania e shtuar e trupave do të rrisë kapacitetet e Shteteve të Bashkuara për të kryer stërvitje ushtarake në rajon.
“Plani tregon qasjen tonë të fortë dhe të balancuar për të siguruar aleatët e NATO-s dhe partnerët përballë rritjes së agresionit rus në lindje të Europës dhe kudo tjetër”, deklaroi gjenerali Philip Breedlove, komandant i trupave amerikane në Europë.
Ai nënvizoi se, “aleatët dhe partnerët tanë do të kenë më shumë kapacitete”. “Ata do të shohin në vendet e tyre një prani në rritje të brigadave të armatosura me pajisjet më moderne”, tha Breedlove.
Sipas oficerit të lartë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, çdo brigatë do të patrullojë rajonin për 9 muaj, para se të zëvendësohet. Një brigadë përmban rreth 4.500 ushtarë, të cilët do të jenë të pajisur me automjete ushtarake dhe pajisje të tjera.
“Do të ketë divizione në gjendje për të luftuar nëse diçka ndodh”, ka deklaruar ndërkohë nënsekretari i Mbrojtjes, Robert Work për “Wall Street Journal”.