SHBA-të dokumentojnë tregtinë ndërmjet rusëve dhe ISIS-it

Edhe pse Presidenti rus, Vladimir Putin, po orvatet të krijojë lidhje ndërmjet Turqisë dhe naftës së shitur nga organizata terroriste ISIS, administrata e Uashingtonit ka dokumentuar se situata është krejtësisht e kundërta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konstatuan se ndërmjetësues të naftës së ISIS-it janë vetë rusët.
Departamenti amerikan i Thesarit ka përfshirë në listën e zezë 4 persona dhe 6 kompani, mes të cilëve edhe rusë, për mbështetje financiare ndaj regjimit të Esadit dhe ndërmjetësim për ISIS-in në shitjen e naftës.
Sipas deklaratës së Departamentit të Thesarit në SHBA, George Haswani dhe kompania në pronësinë e tij, të dy të përfshirë në listën e zezë, ndërmjetësojnë regjimin e Esadit për blerjen e naftës nga ISIS-i.
Një tjetër emër i sanksionuar nga autoritetet amerikane është edhe Mudalal Khuri, president i bordit ekzekutiv të bankës ruse “Financial Alliance” dhe njëherësh përfaqësues financiar i regjimit të Esadit në Rusi.
Sakaq, Kirsan Ilyumzhinov, ish-president i Federatës Botërore të Shahut dhe i Kalmikisë, kjo e fundit një nga republikat federative të Rusisë, është përfshirë në listën e zezë amerikane për marrëdhëniet e tij të dyshimta me firmat e kontrolluara nga biznesmeni sirian, Mudalal Khuri, me në krye Bankën “Financial Alliance”.
Për të njëjtat motive, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar edhe Nicos Nicolaou, drejtor i kompanisë këshilluese “Primax” me seli në Qipron e Jugut.
Vitin e kaluar, sërish për blerje të naftës nga organizata terroriste ISIS, SHBA-të kishin përfshirë në listën e zezë gjithashtu institucionin financiar rus “Tempbank” dhe disa afaristë përkrahës të regjimit sirian.

Artikulli paraprakÇfarë sekrete mbi shëndetin dhe sëmundjen zbulohen nga gjuha
Artikulli vijues"Lufta e Shenjtë" e ortodoksisë Ruse për vrasjen e muslimanëve