Shenjat e kohëve që jetojmë

مَثَلُ ٱلَّذِينَ حُمِّلُواْ ٱلتَّوْرَاةَ ثُمَّ لَمْ يَحْمِلُوهَا كَمَثَلِ ٱلْحِمَارِ يَحْمِلُ أَسْفَاراً
Shembulli i atyre që u ngarkuan të bartin Teuratin, dhe pastaj nuk e bartën atë, i ngjan shembullit të gomarit që mbart libra!
(El-Xhumu’ah 62, 5).
Ngarkimi i bartjes se Teuratit i përmendur në këtë ajet nënkupton ngarkimin e hebrejve që t’i “qëndrojnë parimeve që ai përmban dhe të veprojnë sipas mësimeve të tij” (Fakhr ed-Din er-Razi).
Metafora e gomarit shërben për të theksuar faktin se bashkësia e besimtarëve hebrenj arriti në një pikë ku nuk kishin më dijeni “as çfarë përmbante Libri i tyre i Shenjtë dhe as çfarë detyrimesh lindnin prej tij. Ibën Abbasi ka thënë: Allahu e ka shëmbëllyer atë që lexon Librin dhe nuk ndjek mësimet e tij me gomarin që mbart Librin e rëndë të Allahut pa e ditur se çfarë përmban ai” (Ibën Xherir et-Tabari).
Qortimi i atyre që lexojnë Librin e tyre të Shenjtë dhe nuk veprojnë sipas tij është i njëjtë me qortimin e Profetëve të Dhjatës së Vjetër drejtuar priftërinjve, besimtarëve dhe njerëzve në librat e Ezekiel-it (22, 26), Isaia-s (24, 5), Jeremia-s (8, 5-9), Osea-s (4, 6-7) dhe të tjerë.
Ky ajet nuk është thjesht qortim për hebrejtë që lanë pas dore parimet e Hebraizmit; ai është gjithashtu një paralajmërim për muslimanët se si njerëzit e trajtojnë shpeshherë shpalljen. Profeti ka parathënë se mbi bashkësinë e muslimanëve do të bien shumë mynxyra kur dija dhe kuptimi mbi fenë të humbasin dhe tjetërsohen. Këto dukuri janë edhe prej shenjave që fundi i botës është i afërt.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se “prej shenjave të afrimit të kijametit është zhdukja e dijes dhe rrënjosja e injorancës”.
Leximi i Kuranit, pa u thelluar në kuptimet dhe mësimet e tij, nuk është i mjaftueshëm për frenimin e largimit të dijes. Mësimdhënia e tij nuk është garanci për prosperitetin e bashkësisë së muslimanëve, madje nuk e përjashton as prekjen e saj prej trazirave dhe vuajtjeve. Imam Ahmedi, Ibën Maxheh dhe Tabarani transmetojnë se habisë së një sahabiu që pyeti se si do ishte e mundur diçka e tillë, Profeti iu përgjigj duke shëmbëllyer sjelljen e muslimanëve ndaj Kuranit me sjelljen e bashkësive të mëparshme fetare ndaj librave të tyre të shenjtë.
Shuajtja e dijes fetare do të vijë nëpërmjet vdekjes së dijetarëve të vërtetë, vendin e të cilëve do ta zënë injorantët e devijuar. Buhariu transmeton se Profeti ka thënë:
“Allahu nuk do t’ua heqë dijen me forcë njerëzve, duke ua rrëmbyer atë. Në fakt, Ai do ta largojë atë nëpërmjet vdekjes së dijetarëve derisa, kur të mos mbetet më asnjë dijetar, njerëzit të marrin për udhëheqës injorantët. Kur t’u kërkohet mendim nga njerëzit, ata do të japin verdikte fetare me padije, duke devijuar vetë dhe duke devijuar të tjerët.”
Mungesa e dijetarëve të vërtetë i hap vendin bartësve të korruptuar të dijes, të cilëve Profeti u ka rezervuar fjalë shumë të ashpra:
“Në kohët afër fundit të botës do të dalin njerëz që do të shfrytëzojnë fenë për qëllimet e kësaj jete. Kur të jenë me njerëzit, do të veshin lëkurën e deles për nga butësia që do ju shfaqin. Gjuhët e tyre janë më të ëmbla se sheqeri, kurse zemrat i kanë si zemrat e ujqërve” (Transmeton Tirmidhiu).
Në një hadith tjetër të transmetuar nga Bejhakiu, Profeti ka thënë:
“Nuk do të jetë e largët dita për njerëzit kur prej Islamit të mos mbetet gjë vetëm se emri dhe nga Kurani të mos mbesin vetëm se shkronjat. Xhamitë e tyre do të jenë të mbushura me njerëz dhe të zbrazura nga udhëzimi. Dijetarët e tyre do të jenë njerëzit më të këqij që gjinden nën qiell; trazirat prej tyre do të nisin dhe atyre do t’ju kthehen”.
Megjithë zymtësinë e peisazhit të përshkruar nga hadithet dhe të vërtetuar nga realiteti i sotëm, arsyet për t’u ndjerë mirë nuk mungojnë, sepse “nuk ka dyshim që bashkë me vështirësinë ka lehtësim” (El-Inshirah 94, 5).
(vijon)

Përgatiti: Gerdi Demneri

Artikulli paraprakReagon hoxha Fatmir Latifi: Dikush po tenton ta rrënojë kontributin tim për vendin
Artikulli vijuesEzani thirret edhe tek Muri Kinez