Shërimi i epilepsisë në traditën profetike

Në dy Sahih-ët është hadithi prej Ata ibn Ebu Rabahas, që tregon: – Njëherë, Ibn Abasi më tha: “A të të tregoj një grua prej banorëve të Xhenetit?” – Po – i thashë unë. Ai tha: “Kjo grua zezake, shkoi një ditë te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha: – Kur më zë kriza e epilepsisë, mua më zbulohet trupi. Lute Allahun për mua (që të më shërojë)! Ai i tha: “Nëse dëshiron, bëj durim, dhe kështu ty të takon Xheneti! E nëse dëshiron, mund ta lus Allahun që të të shërojë.” – Ajo tha: – Do të bëj durim. Por mua më zbulohet trupi, prandaj lute Zotin që të mos zbulohem (gjatë krizave)! – Dhe Ai u lut për të.[i]

Epilepsia është dy llojesh:

  1. Epilepsi e shkaktuar nga ndikimi i shpirtrave të këqij tokësorë (xhindeve).
  2. Epilepsi e shkaktuar nga shkatërrimi i lëngjeve themelore (shkatërrim humoral) të trupit. Është pikërisht ky lloj për të cilin mjekët shohin mundësinë e kurimit.

Për sa i përket llojit të parë, ekspertët e mjekësisë e pranojnë atë dhe nuk e mohojnë. Ata e pranojnë se mjekimi i këtij lloji mund të arrihet veçse duke gjetur mënyrën për t’iu kundërvënë ndikimit të shpirtrave të këqij (xhindeve). Kjo bëhet e mundur duke marrë masat e nevojshme që mundësojnë afrimin e melekëve, të cilët largojnë ndikimin e xhindeve, u kundërvihen veprimit të tyre dhe i largojnë ato. Edhe Hipokrati e ka pranuar një mënyrë të tillë kurimi të epilepsisë në disa prej librave të tij. Ai, pasi përmend disa mjekime për epilepsinë, thotë: “Këto ilaçe shërbejnë veçse në rastet e epilepsisë që shkaktohet nga çrregullime humorale apo shkaqe fizike. Ndërsa epilepsia që shkaktohet nga ndikimi i shpirtrave të këqij, nuk mund të mjekohet me të tilla ilaçe.”

Ndërsa mjekët e paditur, të ulët dhe të rëndomtë, e mohojnë mundësinë e epilepsisë që shkaktohet nga ndikimi i shpirtrave të këqij tokësorë (xhindeve). Ata nuk e pranojnë faktin që këto krijesa mund të ndikojnë në trupin e njeriut në aspektin fizik dhe emocional e ta sëmurin atë.

Megjithatë, shkaku i këtij mospranimi është veçse injoranca e tyre e thellë, sepse mjekësia e vërtetë nuk e mohon mundësinë e ndikimit të shpirtrave te krijesat njerëzore. Realiteti dhe shqisat dëshmojnë për këtë fakt. Ata mundohen t’i përkufizojnë shkaqet e kësaj sëmundjeje vetëm në llojin e dytë, pra në shkatërrimin dhe çrregullimin humoral, por ky është një përkufizim që bie ndesh me faktet dhe përvojën.

Mjekët e lashtë këtë lloj epilepsie shpesh e quanin “sëmundje hyjnore” dhe pohonin se ajo shkaktohej nga ndikimet emocionale dhe fizike të shpirtrave te njeriu. Ndërsa Galeni është njëri nga ata që këtë qëndrim të mjekëve të vjetër e ka shpjeguar sipas mënyrës së tij. Ai pretendon se është quajtur “sëmundje hyjnore”, sepse ajo godet trurin, i cili është organi më i rëndësishëm që kontrollon proceset e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Por edhe ky interpretim e ka zanafillën e tij te padituria e tyre rreth ekzistencës së këtyre shpirtrave, strukturës dhe funksioneve të tyre, aftësive ndikuese dhe veprimeve të tyre.

Mjekët laikë mbrojnë me kokëfortësi mendimin e tyre se epilepsia shkaktohet vetëm nga shkatërrimi dhe çrregullimi humoral. Megjithatë, çdo njeri që ka pak mend në kokë mund të dallojë lehtë ekzistencën e shpirtrave të tillë dhe ndikimin e tyre dhe, më tej, ai me siguri do të tallet me këto pohime të pabaza të mjekëve dhe me dobësinë e argumenteve të tyre.

Trajtimi i epilepsisë që shkaktohet nga ndikimi i shpirtrave të këqij

Në kurimin e këtij lloji ndikojnë dy faktorë kryesorë:

  1. Nga njëra anë është ndikimi i sjellë nga vetë i sëmuri. Ky ndikim varet nga besimi dhe vullneti i tij për të marrë kontrollin mbi çrregullimet e veta emocionale. Ai duhet të jetë i sinqertë në përkushtimin ndaj Atij që është krijuesi i këtyre shpirtrave dhe i gjithçkaje tjetër. Ai duhet të lutet dhe të kërkojë strehim dhe shpëtim tek i Plotpushtetshmi i Gjithëmëshirshëm (Allahu), duke patur parasysh që lutjen nuk duhet ta bëjë vetëm me gojë, por me gjithë shpirtin e tij. Ai duhet të mësohet me faktin që është në një luftë të brendshme shumë të fortë. Luftëtari mund të fitojë mbi armikun e tij veçse me dy kushte: së pari, të ketë armë të fortë dhe të përshtatshme për qëllimin që kërkon të arrijë dhe, së dyti, të dijë dhe të ketë forcën e mjaftueshme për të përdorur këtë armë që Zoti ia ka mundësuar. Nëse njëri nga këto dy kushte cenohet, po në atë masë do të cenohet edhe qëllimi i tij për fitoren mbi armikun. Atëherë, si do të ishte gjendja nëse nuk do të plotësoheshin të dyja këto kushte?! Në një gjendje të tillë, zemra do të kishte dështuar. Kështu rrënohen zemrat e paushqyera me teuhid në adhurim, që janë të zbrazëta nga forca e mbështetjes dhe e besimit të plotë në Allahun e Lartësuar, të zbrazëta nga forca e devotshmërisë, nëpërmjet së cilës ruhen kufijtë e Zotit, bosh nga lutjet e sinqerta dhe shprehja e varfërisë para të Adhuruarit. E ku t’i gjejë forcat një zemër e tillë?! E çfarë arme mund të përdorë ajo kundër një armiku të pamëshirshëm?!
  1. Nga ana tjetër është ndikimi që sjell mjekuesi. Edhe ai duhet të plotësojë dy kushtet e mësipërme. Në varësi të armës dhe të forcës së besimit të tij, do të jetë edhe rezultati i mjekimit. Madje, sikurse përmendet, disa mjekues të mirë janë mjaftuar vetëm me fjalët: “Dil prej tij!” ose me Bismilah!, ose me La haule ue la kuuete il-la bil-lah! Ndërsa vetë Pejgamberi alejhi selam, në të tilla raste, thoshte: “Uhruxh adu-uell-llah! Ene rasulull-llah!” (Dil, o armik i Allahut! Unë jam Profeti i Allahut!).[ii]

Kam qenë i pranishëm kur shejhu ynë (Ibn Tejmije) dërgoi dikë te një person i sëmurë me epilepsi, që t’i fliste xhindit që ndodhej brenda tij e t’i thoshte: “Shejhu të thotë që të dalësh jashtë, sepse kjo nuk të lejohet!” Dhe, menjëherë, i sëmuri çlirohej dhe përmendej. Kishte raste kur shejhu fliste vetë, por kishte raste kur xhindi që ndodhej brenda të sëmurit të ishte inaçor dhe kokëfortë, dhe shejhu e nxirrte atë duke përdorur forcën dhe rrahjen.

Kur i sëmuri përmendej, nuk ndiente asnjë lloj dhembjeje, edhe pse kishte ngrënë goditje të shumta. Këtë e kemi dëshmuar shumë herë.

Ai shpesh lexonte në veshin e të sëmurit ajetin (nr. 115) e Allahut të Lartësuar në suren Muminun: “A menduat se ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?”

Shejhu më ka treguar se, njëherë, kur po ia lexonte këtë ajet një të sëmuri, xhindi që ishte brenda tij tha me një zë të mekur dhe të zgjatur: “Poooo!” Atëherë shejhu – siç tregonte vetë – mori një shkop dhe filloi ta godiste në damarët e qafës, aq sa iu lodhën duart nga goditjet. Asnjë nga të pranishmit nuk dyshonte se i sëmuri tashmë duhej të kishte vdekur nga ato goditje. Gjatë goditjeve, xhindi thoshte: “Unë e dua atë”. Ndërsa shejhu ia kthente: “Ai nuk të do ty!” – “Unë dua që të bëj haxhin së bashku me të!” – “Ai nuk do që të kryejë haxhin me ty.” – “Unë po e lë atë për hir tëndin!” – “Jo! Do ta lësh në emër të bindjes ndaj Allahut dhe Profetit të Tij!” – “Atëherë, po dal prej tij!”

Në këtë çast, i sëmuri u ngrit ndenjur dhe filloi të vështronte i habitur majtas dhe djathtas. Pastaj tha: “Kush më solli mua këtu te shejhu?!” Njerëzit i thanë: “A nuk të kujtohet gjë, pas gjithë atij druri që hëngre?!” Ai tha: “Po pse më goditi shejhu, kur unë nuk kam bërë ndonjë gabim?!” Subhan-Allah! Ai nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur dhe nuk kishte ndierë asnjë goditje.

Shpeshherë, shejhu e bënte terapinë me ajetin Kursij (ajeti 255 në suren Bekare). Ai e urdhëronte të sëmurin me epilepsi, por edhe të sëmurët e tjerë, që ta lexonin atë shpesh, bashkë me dy suret e fundit të Kuranit, Felek dhe Nas.

Siç kuptohet pra, këtë lloj epilepsie e mohon veçse ai që ka shumë pak njohuri dhe logjikë.

Shkaku kryesor i ndikimit nga shpirtrat e këqij, në shumicën e rasteve, është feja e dobët e njerëzve dhe zemrat e tyre të zbrazëta nga përkujtimi i Zotit dhe nga kërkimi i mbrojtjes tek Ai. Zemrat dhe gjuha e tyre nuk janë mësuar që të kërkojnë mbrojtjen e imanit, të këshilluar nga Pejgamberi (s.a.u.s.). Rrjedhimisht, shpirti i keq (shejtani) e ka të lehtë të mposhtë një njeri të pambrojtur dhe pa armë e, aq më keq, kur e gjen atë në gjendje të ulët dhe në poshtërsi. Në të tilla raste, ndikimi është shumë më i thjeshtë.

Nëse nga sytë tanë do të hiqej mbulesa që na pengon të shohim këtë realitet, ne do t’i dallonim këta shpirtra të këqij, të cilët kanë nënshtruar shpirtrat e shumicës së njerëzve. Do të shihnim se si ata i udhëzojnë në çdo haram që dëshirojnë, dhe ç’është më e keqja, shpirtrat e njerëzve nuk u bëjnë dot ballë dhe nuk mund t’i kundërshtojnë ata, pasi janë të nënshtruar dhe të pafuqishëm. Realitetin ne do ta shohim qartazi pikërisht ditën kur të zbulohet e vërteta. Atëherë do të duket qartë se cili ka qenë i mposhturi.

Allahu është i Vetmi nga i Cili mund të kërkohet ndihma dhe ruajtja, por duhet të dihet se si t’i kërkohet.

Mjekimi i këtij nënshtrimi dhe mposhtjeje nga shpirtrat e këqij arrihet veçse duke vënë në përdorim të menduarit dhe logjikën e shëndoshë, si dhe duke e ushqyer atë me besimin dhe bindjen në çdo udhëzim të sjellë saktësisht nga profetët e Zotit. Kjo sëmundje shërohet duke ushqyer sigurinë për vërtetësinë e Xhenetit dhe të Zjarrit. Le të kujtojmë gjithmonë Xhenetin dhe Zjarrin dhe le të bëhet ky përkushtimi ynë i vazhdueshëm!

Po t’i këqyrësh banorët e dynjasë, hallet dhe problemet e shumta që ata kanë, do të shohësh se ata të gjithë janë të zaptuar dhe të çoroditur. E çfarë zaptimi se! Zaptim nga i cili nuk shpëton dot, veçse me ndihmën e të Plotpushtetshmit! Por, duke qenë se kjo botë është mbushur vetëm me të zaptuar, aq sa atyre sjelljet e njëri-tjetrit u duken mëse normale, tashmë i sëmurë duket ai që është i ruajtur dhe i sigurt prej asaj sëmundjeje.

Nëse Allahu i Gjithëditur dhe i Urtë i dëshiron të mirën robit, ky i fundit shërohet prej zaptimit, dhe pastaj nis e i sheh banorët e kësaj dynjaje në pamjen e tyre të vërtetë. Ai i sheh se si ata veprojnë të zaptuar, në grada dhe nivele të ndryshme. Ai hedh shikimin majtas e djathtas dhe sheh se shumë prej tyre janë përfundimisht të nënshtruar. Ka prej tyre që ndonjëherë përmenden shumë mjegullt, por shumë shpejt kthehen në çmendurinë e tyre. Ka të tjerë që herë përmenden nga zaptimi e herë kthehen në gjendjen anormale. Kur përmenden, ata sillen njëlloj si të pazaptuarit dhe të logjikshmit. Por pastaj, shpejt kthehen në marrëzinë e të zaptuarve dhe çrregullimin e tyre.

Epilepsia që vjen prej shkaqeve fizike

Kjo lloj epilepsie tjetërson strukturën trupore dhe shoqërohet me spazma, të cilat pengojnë gjymtyrët nga funksionimi dhe lëvizja normale. Ajo shfaqet për shkak të grumbullimit të substancave të trasha e veshtullore në afërsi të trurit, të cilat pengojnë pjesërisht rrugët ose hapësirat cerebrale. Rrjedhimisht, zonat e trurit përgjegjëse për ndjesitë dhe për lëvizjet bllokohen e, më pas, në të njëjtën mënyrë reagojnë edhe gjymtyrët e trupit që kontrollohen nga këto zona.

Ka edhe shkaqe të tjera për këtë lloj epilepsie, siç është grumbullimi i gazrave të dendura, të cilat deri diku bllokojnë shpirtin, apo siç janë lëngjet veshtullore, që grumbullohen në një organ të trupit dhe që më pas ngjiten lart në tru, ose edhe një sëmundje akute. Truri nis e vuan nga spazmat, për shkak të luftës ndaj substancave të dëmshme që e prekin atë, e këto spazma vijojnë më pas te gjymtyrët përkatëse. I sëmuri, në këto çaste, nuk qëndron dot në këmbë dhe shembet përtokë, ndërkohë që nga goja fillon e i del shkumë.

Kjo lloj epilepsie shoqërohet me dhimbje të forta gjatë çastit të krizës. Kjo është një sëmundje kronike, mjaft e vështirë për t’u kuruar dhe që zgjat tepër në kohë, sidomos kur personi është mbi 25 vjeç dhe kalon kriza të shpeshta. Hipokrati thoshte që epilepsia nuk shërohet deri në vdekje.

Nëse u kuptua e gjithë kjo, atëherë mund të themi se krizat epileptike që godisnin gruan që shkoi te Pejgamberi alejhi selam ishin të llojit të mësipërm. Asaj, Pejgamberi alejhi selam i propozoi dy mundësi: ose të bënte durim dhe të futej në Xhenet, ose të bënte lutje për të dhe ajo të shërohej, por pa garancinë e hyrjes në Xhenet. Në fund, ajo zgjodhi të duronte, dhe Pejgamberi alejhi selam u lut që, gjatë krizave, asaj të mos i zbulohej trupi.

Nga ana tjetër, ky hadith dëshmon se është e lejueshme heqja dorë nga mjekimi dhe kurimi. Ai tregon, gjithashtu, se kurimi nëpërmjet lutjeve dhe përgjëresave të drejtuara Allahut të Lartësuar mund të bëjë atë që nuk e bën asnjë ilaç dhe mjekim tjetër njerëzor. Një gjë të tillë e kemi provuar shumë herë ne dhe të tjerë.

Edhe mjekët e mençur e pranojnë se forca dhe veprimi shpirtëror kanë një ndikim shumë të madh, madje të çuditshëm, në shërimin e sëmundjeve. Nuk ka më të dëmshëm për shkencën e mjekësisë, sesa ata injorantë të ulët dhe të papërgjegjshëm, që e mohojnë këtë ndikim.

Edhe një herë, me sa kuptohet, epilepsia e asaj gruaje ishte nga ky lloj. Por, gjithashtu, është e mundur që të ketë qenë edhe nga lloji i epilepsisë që shkaktohet nga ndikimi i shpirtrave të këqij, dhe Pejgamberi (s.a.u.s.) t’i ketë propozuar asaj ose durimin, me Xhenetin si shpërblim, ose shërimin, por pa garancinë e Xhenetit.

Në fund, Allahu është më i dituri për gjithçka.

[i] Buhariu, 10, 99; Muslimi, me numër 2260.

[ii] Imam Ahmedi 4, 170-171-172, prej Jeala ibn Murrah, që përcjellë se te Profeti (s.a.u.s.) shkoi një grua me djalin e saj të prekur nga xhindët, dhe se Profeti i tha xhindit: “Dil, o armik i Allahut! Unë jam Profeti i Allahut!” Ai u shërua dhe ajo i dhuroi Profetit (s.a.u.s.) dy desh dhe një masë dhjami të ngrirë. Profeti (s.a.u.s.) i tha Jealas: “O Jeala! Merre dhjamin dhe njërin nga deshtë, kurse tjetrin ktheja asaj.” Transmetuesit janë të besueshëm. Për të njëjtën temë vjen një hadith prej Uthman ibn Ebu Asit, të cilin e ka përnxjerrë Ibn Maxhe me numër 3548. Po kështu transmetohet edhe nga Xhabiri një hadith që gjendet te Darimi, 1, 10.

Ibn Kajim el Xheuzije

Zead el Mead

Artikulli paraprakSi mjekohen plagët në mjeksinë profetike
Artikulli vijuesSi trajtohet kapsllëku në mjeksinë profetike?