Shfaqja e lakmisë, shenjë se Kiameti është afruar

Shenja e njëzetepesë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.
Shfaqja e lakmisë.
Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Prej shenjave të afrimit të orës së fundit është shfaqja e lakmisë” e transmeton Taberani.
Në një transmetim tjetër Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Do të shkurtohet koha, do të pakësohet dija, do të shfaqen sprovat, do të hidhet në zemra lakmia dhe do të shtohen vrasjet” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ibn Batal në komentimin e këtij hadithi thotë: Të gjitha këto janë lajmërime të profetit alejhi selam për shenjat e orës së fundit dhe i kemi parë ato me sy. Është pakësuar dija, është shfaqur injoranca, është hedhur lakmia në zemra, janë përhapur sprovat dhe janë shtuar vrasjet.
Abdullah bin Mesudi radiallahu anhu gjithashtu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Po vjen ora e fundit, ku njerëzit nuk do të shtojnë ndaj dynjasë veçse lakminë dhe ndaj Allahut veçse largësinë”. E transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.
Ebu Thalebe El-Khushenij tregon se e ka dëgjuar profetin alejhi selam duke thënë: “Kur ti shohësh njerëzit pre të lakmisë, epshet duke ndjekur, dynjasë duke iu dhënë përparësi dhe çdo njeriu ti pëlqejë mendimi i tij atëherë kushtoju vetes tënde dhe lëri njerëzit se më pas do të vijnë ditë që kanë nevojë për durim. Ai që bën durim në atë kohë është si i kapuri pas prushit dhe ai që punon sipas fesë së Allahut do të ketë shpërblimin e pesëdhjetëve prej jush”. E transmeton Ebu Daudi dhe Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Kuptimi i lakmisë.
Fjala e përdorur ne hadith në gjuhën arabe është “Shuh” dhe ka një lidhje me fjalën “Bukhl” që do të thotë koprraci.
Ibn El-Kajim thotë në lidhje me dallimin mes këtyre dy fjalëve: Dallimi mes “Shuh” lakmia dhe “Bukhl” koprracia është se “Shuh” quhet dëshira e flaktë për diçka, përkushtimi në kërkimi i saj, këmbëngulja në arritjen e saj dhe pangopësia e shpirtit për të kurse “Bukhl” quhet mosshpenzimi pas arritjes së saj, lidhja pas saj dhe mbajtja e saj. Pra, lakmia është e fshehtë në shpirt dhe fton për koprraci dhe koprracia është fryti i lakmisë.
Kjo që thotë Ibn El-Kajimi përkrahet nga një hadith i profeti alejhi selam siç tregon Abdullah bin Amr bin el-As radiallahu anhu se profeti alejhi selam ka thënë: “Ruajuni lakmisë se lakmia i ka shkatërruar ata që ishin para jush: i shtyu për koprraci dhe i shtrënguan duart, i shtyu për padrejtësi dhe bënë padrejtësi dhe i shtyu për prerje të lidhje farefisnore dhe i prenë” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Në këtë hadith duket qartë se lakmia është ajo që nxit për koprraci dhe jo vetëm për të por edhe për vese të tjera të këqia si padrejtësia dhe prerja e lidhjeve farefisnore.
Lakmia dhe natyra e njeriut.
Allahu i madhëruar njofton në librin e tij se lakmia është në natyrën e njeriut siç thuhet në ajetin ku përmendet ftohja e burrit ndaj gruas së tij dhe animi i tij nga ndarja: “Nëse një grua i frikësohet ftohjes së burrit të saj, nuk ka gjynah për ta që të bëjnë marrëveshje se marrëveshja është më e mirë se ndarja, por shpirtrat lakmojnë. Nëse bëni bamirësi dhe tregoni devotshmëri, Allahu është i mirënjoftuar për atë që punoni” Suretu En-Nisa 128.
Fjala e Allahut [por shpirtrat lakmojnë] tregon se shpirtrat kanë prirje për të këmbëngulur gjithsecili prej tyre në hakun e tij: gruaja në të drejtën e saj për shtratin dhe shpenzimet kurse burri në të drejtën e tij për ta ndarë dhe për pasojë nuk arrihet marrëveshja.
Pastaj Allahu e përfundon ajetin me fjalën [Nëse bëni bamirësi dhe tregoni devotshmëri, Allahu është i mirënjoftuar për atë që punoni] gjë që do të thotë se nëse njerëzit bëjnë mirësi duke lëshuar pak nga e drejta e tyre atëherë mund të arrihet marrëveshja dhe shpëton martesa dhe kjo është punë e mirë për të cilën Allahu shpërblen.
Mirëpo që të lëshosh prej të drejtave të tua dhe ti japësh përparësi tjetrit duke mposhtur kështu lakminë kërkon besim dhe devotshmëri çka do të thotë se nuk mund ta bëjë këtë gjë veçse besimtari. Allahu në një ajet tjetër tregon se si ensarët i jepnin përparësi vëllezërve të tyre muhaxhirë: “Ata të cilët banonin në vendin e tyre dhe pranuan besimin (ensarët), i duan ata të cilët emigruan (muhaxhirët) dhe nuk ndjejnë ngushti në kraharor kur u jepet diçka. Ata i japin përparësi të tjerëve edhe nëse kanë vetë nevojë. Kush ruhet prej lakmisë është i shpëtuar” suretu el-Hashr: 9.
Në këtë ajet janë përmendur lakmia dhe e kundërta e saj që është dhënia përparësi tjetrit dhe është përmendur gjithashtu edhe besimi i cili kur pushton zemrën vë nën kontroll lakminë siç ndodhi në marrëdhëniet mes ensarëve dhe muhaxhirëve.
Pra nëse njeriu ka në zemër bamirësi e devotshmëri të cilat janë cilësi besimi, e mposht lakminë dhe kur nuk i ka ato atëherë lakmia e mund atë siç ndodh me munafikët të cilët nuk i japin asnjëherë përparësi tjetrit. Allahu i madhëruar thotë në Kuran “Ata lakmojnë vetet e tyre (nuk japin ndihmë në luftë as me pjesëmarrje dhe as me pasuri): kur vjen frika, të shohin ty (me mjerim) dhe u rrotullohen sytë si atyre që u ka ardhur vdekja dhe kur ikën frika, ju marrin nëpër gojë me gjuhët e tyre të hekurta dhe lakmuese ndaj të mirës. Ata nuk kanë besuar dhe Allahu ua ka shkatërruar punët dhe kjo është e lehtë për të” suretu El-Ahzab: 19.
Pra shkaku se ata lakmojnë është se nuk kanë besim në zemrat e tyre për të mposhtur natyrën lakmuese të shpirtit.
Mposhtja e lakmisë në jetën e sahabëve.
Enes bin Malik radiallahu anhu tregon: [Muhaxhirët i thanë profetit alejhi selam: O i dërguari i Allahut, nuk kemi parë më të mirë si ky popull (dmth: ensarët) në ngushëllim kur kanë pak dhe as dorëdhënie kur kanë shumë! Ata na siguruan ushqim dhe na bënë vend në çdo gjë të rehatshme aq sa druhemi se do ta marrin gjithë shpërblimin. Profeti alejhi selam u thotë: “Jo, përderisa ti lavdëroni ata dhe ti luteni Allahut për ta”] e transmeton imam Ahmadi dhe e saktëson sheikh Albani.
Enes bin Malik radiallahu anhu tregon përsëri: [Profeti alejhi selam ftoi ensarët për t’ju dhuruar atyre Bahreinin (emër vendi që edhe sot e kësaj dite njihet me të njëjtin emër: shteti i Bahreinit). Ata i thanë: Jo, derisa tu japësh edhe vëllezërve tanë muhaxhirë aq sa ne. Atëherë profeti alejhi selam u thotë: “Nëse jo, atëherë bëni durim derisa të takoheni me mua (në botën tjetër) se pas meje do t’ju prekë lakmia”] e transmeton Buhariu.
Disa hadithe në lidhje me lakminë.
Kab bin Malik radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk janë dy ujq të uritur për një kope më shkatërrimtarë se lakmia e njeriut për pasuri dhe pozitë në fenë e tij” e transmeton Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk bashkohet asnjëherë lakmia dhe besimi në zemrën e robit” e transmeton Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Më të këqijat gjëra që mund të ketë burri është: Lakmia e madhe dhe frika e madhe”. E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Enes bin Malik, Abdullah bin Abas dhe Ebu Hurejra -radiallahu anhum- tregojnë se profeti alejhi selam ka thënë: [“Tre gjëra janë shkatërruese dhe tre të tjera janë shpëtuese” Pastaj tha: “Tre shkatërruese janë: lakmia kur i nënshtrohesh, epshi kur ndiqet dhe pëlqimi i vetes. Tre shpëtueset janë: “frika nga Allahu në vetmi dhe në publik, mesatarja në varfëri dhe pasuri dhe drejtësia në zemërim dhe kënaqësi”] e saktëson sheikh Albani nga një grup hadithesh.
Shfaqja e lakmisë si shenjë e orës së fundit të dynjasë.
Thamë që lakmia është në natyrën e njeriut dhe njeriu me besim e vë atë nën kontroll dhe shfaqja e saj si dukuri para ditës së kiametit mund të thotë dobësimi i besimit te njerëzit e asaj kohe dhe për pasojë të saj shtimi i lakmisë ose i ndikimit të saj.
Mirëpo po ta shohim me vëmendje fjalën e profetit alejhi selam [do të hidhet lakmia] të jep të kuptojmë se lakmia në kohën e fundit do të hidhet mbi atë që është në natyrën njerëzore. Ibn Haxher thotë: Nuk është për qëllim ajo që është në natyrën njerëzore sepse ajo vazhdon të jetë me njerëzit.
Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- shpjegon më tej dhe thotë: Do të hidhet lakmia në zemrat e njerëzve të asaj kohe, secili sipas gjendjes së tij derisa të mbajë dijetari dijen e tij, zejtari zanatin e tij dhe i pasuri pasurinë e tij dhe nuk është për qëllim se lakmia do të hidhet për herë të parë sepse ajo vazhdon të jetë në natyrën njerëzore përveç atyre që i ka ruajtur Allahu.

Abdullah Nabolli

Artikulli paraprakÇaji i gjelbër për kujtesë dhe mësim më të mirë
Artikulli vijuesKur besimtarëve u dalin ëndërrat, prite Kijametin