Shkaku i Kosovës, Serbia bojkoton takimin e ministrave në Tiranë

Serbia bojkoton takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, vetëm për shkak se pjesë e tij do të bëhet edhe Kosova. Tirana është caktuar si qendra e takimit dy-ditor të përfaqësuesve të 13 vendeve pjesëmarrëse të SEECP, përfaqësues të BE-së, të Presidencës Letoneze të BE-së dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Ky takim bëhet në kuadër të Presidencës Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP). Serbia mori këtë vendim për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, e cila do të përfaqësohet në këtë konferencë nga zv/kryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.
 
BIRN raporton se, pjesëmarrjen e ka konfirmuar Malit i Zi, Maqedonia, Turqia, Greqia dhe Moldavia, ndërsa Serbia e ka bojkotuar.
 
Konferencës së SEECP-së, që kryesohet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, do t’i drejtohet me një fjalim edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Ndërkaq, në takimin e nesërm, ku ministrat e disa prej shteteve të Evropës Juglindore do të diskutojnë rreth fuqizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, pjesëmarrës do të jenë edhe zyrtarë të lartë të BE-së, përfaqësues të Presidencës Letoneze të BE-së dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
 
Në maj të vitit 2013, ky takim i paraparë për t’u mbajtur në Ohër u vu në pikëpyetje pasi Maqedonia nuk e kishte ftuar Kosovën.
 
Për shkak të kësaj, presidenti kroat Ivo Josipoviç kishte paralajmëruar mospjesëmarrje, ndërsa takimi ishte mbajtur dy ditë më vonë pasi Kosova e Serbia ishin pajtuar të marrin pjesë në të.
 
Ndërkohë që përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pritet të mbërrijë sot në Shqipëri. Shefja e politikës së jashtme të BE-se e konfirmoi zyrtarisht vizitën në Tiranë përmes një letre drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
 
Përmes letrës Mogherini thotë se, “BE mbështet plotësisht nismat për të forcuar bashkëpunimin rajonal të cilin e vlerëson si një mjet të rëndësishëm, për të kapërcyer ndarjet e të kaluarës dhe për të bërë reformat e kërkuara”.
Artikulli paraprakGruaja e deputetit u përdhunua për 6 vjet, familja s’e besoi
Artikulli vijuesPoroshenko: Ukraina nuk do ta braktisë asnjëherë Krimenë