Shkeljet në prokurim nuk po i ndëshkon askush

Demokraci Plus (D+) ka bërë publikimin e raportit “Shkeljet dhe mosrespektimi i Ligjit për Prokurim Publik”, në lidhje me zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit në nivel lokal dhe qendror 2014-2016, ku janë shqyrtuar edhe shkeljet e përsëritura të Ligjit të Prokurimit Publik.

Për këtë qëllim është organizuar edhe një tryezë diskutimi, në të cilën kanë marr pjesë përfaqësuesit e institucioneve mbikëqyrëse të analizuara në këtë raport, OJQ-të, media dhe autoritete kontraktuese.

Në këtë diskutim është thënë se përveç ushtrimit të funksionit mbikëqyrës, është shumë me rëndësi që të punohet më seriozisht në zbatimin e rekomandimeve të këtyre institucioneve. Kjo për shkak se shumë komuna dhe ministri nuk i zbatojnë pjesën më të madhe të rekomandimeve, i përsërisin shkeljet e Ligjit të Prokurimit dhe nuk marrin asnjë masë ndaj zyrtarëve të cilët keqpërdorin me fondet publike.

Autorja e këtij raporti Rrita Ismajli nga D+, ka deklaruar se në mënyrë që të evitohen shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik duhet që të respektohen rekomandimet e auditorit dhe opinionet e Agjencionit Kundër Korrupsion. Në nivel kombëtar, më shumë se 60 për qind të rekomandimeve të auditorit nuk adresohen nga ministritë dhe komunat. Në anën tjetër, opinionet e Agjencisë Kundër Korrupsion për rastet në të cilat dyshohet se ka pas afera të korrupsionit, po ashtu janë duke u shpërfillur në masë të madhe dhe për më tepër është rritur numri i mos adresimit të këtyre opinioneve.

Përfaqësuesi i KRPP Osman Bytyqi, theksoi se fokusi i mbikëqyrjes së prokurimit duhet të kaloj tek mos implementimi i mirëfilltë të kontratave publike. Ndërsa, ndihmësja e auditorit të përgjithshëm u pajtua se ZKA mund të ofrojë rekomandime më konkrete në mënyrë që ato të adresohen më shumë nga autoritetet kontraktuese. Ajo ka thënë se problemi kryesor në mos adresimin e rekomandimeve qëndron në faktin se auditori nuk ka kompetenca ekzekutive për të obliguar institucionet që të zbatojnë rekomandimet.

Drejtori i Agjencionit Kundër Korrupsion Shaip Havolli, tha se janë duke rishikuar mandatin e tyre mbikëqyrës për monitorimin e prokurimit publik për të evituar ndërhyrjen në kompetencat e KRPP-së. Po ashtu, ai shtoi se në kuadër të strategjisë kundër korrupsion vëmendje e veçantë do t’i kushtohet prokurimit publik.

Pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim kanë ngritur çështje të cilat lidhen me bashkëpunimin e institucioneve mbikëqyrëse si prokuroria dhe auditori, në mënyrë që të rritet përgjegjshmëria e zyrtarëve publik dhe autoriteteve kontraktuese. Njëherit, në mënyrë që të ketë nivel më të lartë të zbatimit të rekomandimeve, është e nevojshme që disa ligje të ndryshohen si dhe të promovohen praktikat e mira.

Artikulli paraprakVija Kosovë – Mali i Zi, një nga 5 kontestet kufitare në Ballkan
Artikulli vijuesOBSH kërkon ndalimin e dhënies së antibiotikëve për kafshët