Sonte, ulur në poltronën time të preferuar përballë librave të mi, nisa të sjell në memorie disa nga momentet më frymëzuese të Haxhit që sapo kaloi. Nayrshëm, janë kujtime të freskëta, të prekura e të ndjera thellë në shpirt, si një dëshmitar real, shpesh edhe personazh, në një prej shfaqjeve më të fuqishme të besimit dhe përuljes së njeriut ndaj Zotit të tij.
S’ka dyshim se, kushdo që udhëton drejt Arabisë Saudite për kryerjen e ritualeve të Haxhit, duhet të ketë parasysh se, do të bashkohet me 1, 2 a 3 milion muslimanë nga mbarë bota, që sikurse ai, kanë mësyer vendin e Kibles së përbashkët, për të dëshmuar bashkarisht madhështinë e kësaj feje dhe këtij besimi.
Dhe e vërteta është se, që nga momenti i parë i zbritjes në aeroportin e Xhidas, secili nis e përjeton këtë ndjesi të veçantë të bashkimit dhe përzierjes së Ymmetit Islam në një vend të vetëm, a drejt tij.
Njëri pas tjetrit zbresin grupet e haxhilerëve të rinj, (dikush më pak e dikush më shumë), të gjithë kanë një qëllim e pikësynim. Afrikanë, aziatikë, rusë, amerikanë, evropianë, (edhe austriake të mbuluara me hixhab), brazilianë, kanadezë, australianë e numëro sa të duash emra shtetesh, prej nga muslimanët janë nisur drejt Qabes së Madhnueshme dhe Pejgamberit të tyre, në një nga shfaqjet më të shenjta të historisë së adhurimit dhe njësimit të racës njerëzore!
Ndonëse të lodhur, të gjithë e kanë ruajtur pak energji sa për t’i buzëqeshur tjetrit, kushdo qoftë ai. Edhe pse të panjohur në mes vete, ata janë Muslimanë, janë Vëllezër, janë Një Familje e madhe botërore, Zoti i të cilëve është Një, i Dërguari i tyre është Një, Libri i tyre i shenjtë është Një, Kibla e tyre drejt së cilës vërshojnë nga çdo cep i globit është Një! Pra, sot, ata janë grumbulluar në një tubim ndërkombëtar në organizimin natyral e të vërtetë të kombeve të bashkuara nën strehën e besimit në Një Zot të vërtetë të gjithësisë!
Në fakt, ajeti kur’anor: “Që të dëshmojnë dobi në mes vete…”, do të duhej të reflektohej krejt ndryshe nga muslimanët e mbarë botës, sidomos në Haxh. Do të duhej që ky adhurim i mrekullueshëm të shërbente krejt natyrshëm për unifikimin e muslimanëve të botës, për thyerjen e rregullave globale të laicizmit, afetarizmit dhe islamofobisë, që ditë pas dite ia hanë shpirtin njeriut, muslimanëve në veçanti, në mbarë globin! Do të duhej që Haxhi të na shërbente për të kapërcyer kufirin e hadithit: “Shumë, por shkumë si shkuma e detit!”, për të dëshmuar para Pejgamberit tonë dhe mbarë botës se, në muslimanët jemi shumë, por jo si shkuma e detit, gjë për të cilën Zotëria i jonë na tërhoqi vëmendjen që të mos biem në batakun e këtij realiteti të hidhur. Por, ne e lexuam gabim fjalën e tij, e morëm si fakt të kryer, para të cilit, na duhet thjeshtë të vegjetojmë si bagëtia në fushë!?
Po shihja nga terraca e Haremit, shumësinë e muslimanëve që silleshin përreth Qabes. Është pa dyshim një emocion i papërshkrueshëm, por përtej botës së ndjesive personale, që ndryshon nga njëri tek tjetri, po mendoja sesa e dobishme do të ishte për mbarë botën, sikur këta njerëz të kishin mundësinë e organizimit edukativ, arsimor, moral, social, politik, ushtarak, ekonomik, kulturor e shkencor në rang lokal e global, për t’u dëshmuar Islami i vërtetë, jo ai i lobeve antiislame, që prodhojnë herë pas here modele të fëlliqta për të sulmuar Islamin e për ta bërë atë të urryer ndër njerëz, në një luftë të fshehtë e shpesh të hapur globale kundër Familjes Sonë të Shenjtë Islame!
Shihja njerëz të civilizuar, pasuritë e të cilëve gabiten e shtëpitë u shemben mbi koka, teksa bota bën sehir, duke shpenzuar miliardat e haramit për organizimin e konferencave e takimeve qeveritare e përtej tyre, për gjetjen e zgjidhjes!? Shihja haxhilerët e Sirisë, ndër grupet më të spikatura për rregullin, disiplinën, finesën, shpirtin elitar e qytetërimin në gen, deri në veprimet më të imëta, që luteshin e drejtonin thirrjet e tyre të shpirtit, aty, para Qabes, teksa fatet e vendit të tyre të shtrenjtë luhen në tryeza manjakësh gjaku, pa din e pa iman, feja e të cilëve është urrejtja, kibla e të cilëve është dominimi i një race mbi një tjetër, fuqizimi i perandorive të rreme të afetarizmit dhe antiZotit, por jo vetëm…
Shihja edhe muslimanët e Evropës, nga Spanja, Italia, Austria, Zvicra, Suedia etj, por edhe ata të Ballkanit e përtej, të gjithë së bashku, teksa në realitet, gjithësecili prej nesh jemi të dhunuar në hakun tonë, në hakun e fëmijëve tanë, në realitetet e vendeve tona, ku dominon anarshia morale, antiligji dhe antivlera dhe, ku, (mbi të gjitha), neve s’na dëgjohet zëri! Në fakt, koha ka ardhur që ne të thyejmë tabutë, të thyejmë heshtjen, të thyejmë barrierat e injorancës dhe femohimit, që ditë pas dite kërcënojnë liritë tona, fenë tonë, hakun shekullor të këtij Islami që na ruajti dinjitetin njerëzor, kombin, gjuhën, kulturën e qytetërimin!
Iu riktheva hadithit të gjatë, që përfundon me këto fjalë: “Shkumë, si shkuma e detit”. Me keqardhje konstatoj se ne e kemi lexuar përsëmbrapshti këtë hadith, duke ndjellur kiametin, i cili ka kohë që na ka rënë mbi koka ne muslimanëve! Ka mbi një shekull që ne jetojmë kiamete, (jo një kiamet), teksa me padijen tonë jemi kthyer në vegjetues pa nerv, që realitete, ku dominon një pashpirtësi e madhe dhe një mesjetarizëm i maskuar me rrobat e kohës…
Ndërkohë, All-llahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen: “Që të dëshmojnë dobi në mes vete”…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 shtator 2016