Shkup: Digjet flamuri maqedonas

Dy persona të panjohur mbrëmë vonë kanë djegur flamurin maqedonas para komunës Çair të Shkupit.

Policia bëri të ditur sot se ngjarja ka ndodhur mbrëmë vonë, kur është lajmëruar për djegien e flamurit. Dyshimet janë hedhur mbi dy persona, ndërsa siç bëhet e ditur MPB sot ka kërkuar hollësi nga komuna dhe xhirimet e kamerave të sigurisë.

Dy autorët e djegies e kanë hequr flamurin nga ndërtesa e komunës dhe më pas i kanë vënë flakën.

Një rast i njejtë me djegien e flamurit ndodhi pranë komunës së Strugës, kur Minir Ismaili dogji flamurin maqedonas, në shenjë revolte ndaj fyerjeve dhe fushatave antishqiptare nëpër terrenet sportive maqedonase. Ismaili muajin e kaluar u dënua me burg prej 5 muajve për shkak të këtij akti që sipas ligjit ka nxitur urrejtje etnike dhe racore. Nga ana tjetër, asnjë nga huliganët maqedonas nuk ka përfunduar me dënime, pas akteve të djegies dhe grisjes së flamurit shqiptar si dhe parullave antishqiptare nëpër stadiume, kryesisht nga tifozët e klubeve të njohura maqedonase të futbollit dhe basketbollit./ina/kohaislame

Artikulli paraprakLibia pritet ta njohë pavarësinë e Kosovës
Artikulli vijuesDuan largimin e barrikadës mbi urën kryesore në Mitrovicë