Jemi dëshmitarë të përhapjes së madhe të objekteve për lojëra të fatit, ku kohën e fundit ata mund t’i gjejmë në çdo skutë të qytetit të Shkupit, duke filluar nga bastoret e gjer te kazinot. Këto objekte përveç që e varfërojnë popullatën, gjithashtu janë të rrezikshme edhe për fëmijët e mitur sepse shkaktojnë varshmëri thonë për Portalb ekspertët.
Sipas hulumtimit të bërë nga QGH SCOOP thuhet, “Maqedonia tregoi se nga kazinoja e njohur austriake Novomatik AG e deri te Princez Grupi nga Turqia, ato janë gjithnjë e më shumë prezentë nëpër të gjitha qytetet e Maqedonisë. Prej vitit 2009 deri në vitin 2015 në Maqedoni nga ana e Ministrisë së Financave janë licencuar gjashtë kazino me 16 filiale dhe madje 59 sallone me aparate për poker”. Nga një prononcim i Ministrisë së Financave për OGH SCOOP thuhet se kazinot dhe aparatet për poker janë tatimpagues si të gjitha subjektet e tjera në treg.
Në një prononcim për Portalb hoxhë Bekir Halimi, nga aspekti fetar-islam e ka komentuar këtë dukuri negative që kohën e fundit po përhapet dhe po merr përmasa të mëdha.
“Ne dekadën e fundit, sidomos në 5-6 vitet e fundit janë shtuar në vendin tonë, e sidomos në lagjet shqiptare bastoret, si hap i parë, që pastaj të vijohet edhe me kazinot e shumta që po hapen. Vazhdimisht e shohim se të rinjtë flasin për kombinimet që kanë luajtur dhe pastaj i shohim duke hyrë e dalë nga dyert e mallkuara të atyre vendeve. Fetarisht kumari dhe bixhozi, ku futen edhe lojërat e fatit dhe bastet, janë të ndaluara dhe prej mëkateve të mëdha. Allahu thotë: O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. (El-Maide:90). Porse edhe janë shkak i mëkateve tjera sikur gënjeshtra, vjedhja, plaçkitja, sëmundjet psikike, etj. Ky njeri bëhet i rrezikshëm për familjen dhe shoqërinë dhe i padobishëm për vete dhe familjen e tij të ngushtë”.
Ka reaguar edhe Shaip Zeneli, drejtor i gjimnazit SH.M.Q.SH. “Cvetan Dimov”, duke thënë që duhet të parandalohet hapja e objekteve të bixhozit të paktën në afërsi të shkollave.
Kazino, Shkup“Sa i përket lojërave të fatit është njëfarë mjegullie, huti apo dalje nga kontrolli për shkak se çdo lloj i lojërave të fatit mund të krijojë edhe varshmëri negative, ndërkaq kjo varshmëri si për të moshuarit ashtu edhe për nxënësit është e rrezikshme sepse i shpie në humbje. Sa i përket nxënësve, ne me kujdestarët e klasave, profesorët , shërbimin pedagogjik dhe psikologjik çdo vit në programin e orëve të kujdestarisë, por edhe gjatë kontakteve të ndryshme me nxënësit, flasim rreth kësaj problematike dhe negativiteteve që i sjellë varshmëria e bixhozit.
Në lidhje me objektet e lojërave të fatit ne si institucion edukativo arsimor, kemi bërë apel dhe e kemi biseduar në mesin e drejtorëve që bastoret apo çfarëdo objekt i lojërave të fatit më së paku duhet të ndërtohen në radius prej 500 deri 1000 metra larg nga shkollat dhe shpresojmë që kjo në një periudhë të shkurtër të bëhet edhe me ligj”.
Në një bisedë me pedagogun Avzi Mustafa, këtë çështje e shpjegon si dukuri negative e cila çon në prishje të imazhit të njerëzve.
“Kohën e fundit janë përhapur shumë objektet ku luhen lojërat e fatit dhe fatkeqësisht njerëzit shpresojnë që mund t’i ndjekë fati nga disa makina të kurdisura. Kjo dukuri është mjaft e dëmshme. Duhet që në familje të edukohen fëmijët që të largohen nga to sepse i çon në humbje të individualitetit, personalitetit, dinjitetit etj. Shteti patjetër duhet ta ndalojë përhapjen e tyre dhe duhet të sjellë ligj të veçantë për lojërat e fatit, dhe të zbatohet sepse e dimë se tani ekziston ligji që të miturit s’guxojnë të hyjnë nëpër ato dyer, por ne jemi dëshmitar të së kundërtës.” thotë pedagogu Mustafa për Portalb.