Shpezët e përmendura në Kuran: “Dhe Allahu dërgoi një sorrë…”

Gjatë leximi të rrëfimeve kuranore për të zgjedhurit e Allahut gjejmë edhe rrëfimin për dy bijtë e Ademit a.s., Habilin dhe Kabilin…

Përndryshe, nëna jonë Hava gjithmonë linde binjak, mashkull dhe femër, ndërsa lindje të tilla sipas Taberiut ishin njëzet, çka do të thotë se ka lindur dyzet fëmijë.

Mes tyre më të njohur kanë qenë Habili dhe Kabili që Kurani i përmend në suren Maide. Sipas ligjit të Zotit që ia tregoi Ademit a.s, djemtë e tij u urdhëruan të martohen me motrat e tyre nga lindja e dytë, e jo me binjaket. Sipas kësaj Habili duheshe të martohet me binjaken e Kabilit, ndërsa Kabili me binjaken e Habilit.

Binjakja e Kabilit nuk i ngjante aspak binjakes së Habilit. Binjakja e Kabilit ishte shumë më e bukur se Binjakja e Habilit

Dhe për këtë shkak Kabili dëshironte ta martoj atë e cila duheshe të martohet me Habilin. Në momentin që Kabili nuk pranoi Ademi a.s. i urdhëroi të presin kurban, ndërsa vetë Ademi a.s. u nis të bëj haxhin në Mekë. Para se të niset për në Mekë, Ademi a.s. kërkoi nga qiejt t’ia ruajnë fëmijët, ndërsa ato nuk pranuan. Ademi këtë e kërkoi edhe nga Toka dhe malet, por edhe këta nuk pranuan, andaj Kabili e pranoi këtë emanet. Kur Ademi shkoi, të dy djemtë ofruan kurban; Habili kishte dhen, andaj theri një dele të re, ndërsa Kabili si kurban ofroi drithin më të dobët. Kur u ndez zjarri e gëlltiti kurbanin e Habilit, ndërsa të Kabilit as nuk e preki. Kjo gjë e zemëroi Kabilin i cili tha se do ta vras vëllaun e tij Habilin, i cili iu përgjigj duke i thënë se Allahu pranon vetëm kurbanin e të devotshmëve.

Allahu i Madhërishëm këtë ngjarje na e përmend në suren Maide dhe thotë: “Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve”,”Dhe, nëse ti e zgjatë te unë dorën tënde për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të mbytur; unë i frikësohem All-llahut, Zotit të botërave!” Unë (nuk dua të të mbys, por) dua që ta bartësh mëkatin tim dhe mëkatin tënd, e të bëhesh nga banorët e zjarrit, e ai është dënim i zullumqarëve. Atëherë epshi i tij e bindi atë për mbytjen e të vëllait dhe e mbyti atë. Ai mbeti prej më të dëshpëruarve (hidhëroi prindërit, mbeti pa vëlla, u përbuz prej Zotit dhe u fut në xhehennem) (El-Ma’ide, 27-30)

Ibn Kethiri në veprën e tij “rrëfime për të Dërguarit e Allahut” përmend disa transmetime që tregojnë se Habili ishte më i fuqishëm fizikisht, mirëpo besimi e pengoi që të ngrejë dorë mbi Kabilin, për dallim nga ky i fundit i cili nuk kishte një shkallë të tillë të besimit.

Për shkak se kjo ishte vrasja e parë në Tokë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Askush askë nuk do ta vras, e që një pjesë të fajit të mos e bartë djali më i madh i Ademit, meqë ai i pari e ka shpikur vrasjen.” (Buhariu).

Më tej shohim se Kabili pasi që e vrau vëllaun e tij e mbante në shpinë duke mos ditur çfarë të bëj me të, andaj Allahu dërgoi dy sorra të cilët gjithashtu ishin vëllezër dhe pasi që u përleshën, njëri e vrau tjetrin, pastaj hapi një gropë dhe e varrosi vëllaun e tij. Në lidhje me këtë Allahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu dërgoi një sorrë, e cila groponte në dhe, për t’i treguar atij se si ta mbulojë trupin e vëllait. E ai i tha: “I mjeri unë, a nuk qesh i aftë të bëhem si kjo sorrë, e ta mbuloja trupin e vëllait tim?” Ashtu mbeti i penduar. (El-Ma’ide, 31.)

Pasi që Kabili e pa skenën e sorrave veproi në atë mënyrë me vëllaun e tij. Në vazhdim dëshiroj të ndalem tek sorra në fjalë sepse është interesant pse pikërisht sorrën Allahu e zgjodhi t’i tregoj Kabilit çfarë të bëj me vëllaun e vrarë. Pse nuk ishte ndonjë shpend tjetër apo ndonjë kafshë tjetër? Pse Sorra? Më poshtë do të tregojmë karakteristikat kryesore të këtyre zogjve, por edhe disa fakte shkencore që këto zogj i dallojnë nga të tjerët.

Korbi (lat. Corvus corax) është nga familja e sorrave. Në gjuhën arabe thuhet gurab, ndërsa në gjuhën angleze raven. Për shkak të madhësisë, ngjyrës, inteligjencës së qartë dhe ushqimit me kufoma, sorrat kanë një vend të rëndësishëm në folklor. Këta zogj të zi dhe inteligjent përmenden në lloj lloj legjenda dhe përralla. Në Evropë sorrat shpesh konsideron si shenjë e keqe për shkak të rolit të grabitqarit në fushën e betejës. Sorrat kanë rol pozitiv në traditën e Amerikës së veriut ku shihen si artist dhe heronj popullorë.

Korbi është shumë fleksibil dhe mund ta gjejmë në fusha, male pyjore dhe gjetherënëse, në toka bujqësore, ultësira, stepa dhe shkretëtira. Gjithashtu banon edhe në bregdet dhe ishuj oqeanik. Mund të mbijetoj gati se në të gjitha klimat, si në temperatura të ulëta ashtu edhe në të larta. Korbi i thjeshtë ka një trup me gjatësi prej 64 cm, peshon mes 1 dhe 1.5 kg, ndërsa me hapje të krahëve prej 1.20 m. Ngjyra e tij është e zezë. Sqepi i tij është shumë i fuqishëm dhe pak i lakuar poshtë. Gjatë verës bishtin e ka të dukshëm sa që mund të dallohet nga larg. Njihet për fluturimin akrobatik gjatë së cilit mund të rrotullohet dhe të bie me shpejtësi të madhe. Mund të prodhoj lloj lloj zëra.

Menyja e tij është e shumëllojshme. I përshtatet çdo lloj kufome dhe organe të brendshme. Nëse ushqimi i duket i pakët korbi do të vras një numër të gjitarëve dhe zogjve të vegjël. Para se gjithash të sëmurë apo të plagosur. Nëse është e mundur ai vjedh vezë të zogjve apo gjuan gaforret, kërmijtë, krimbat por i hanë edhe farat dhe kockat.

Çifti i sorrave ndërton fole në shkëmbi të paarritshëm apo në krye të një peme të gjatë. Detyra e të ushqyerit të pasardhësve bëhet me përpjekjen e përbashkët që zgjat afër 7 javë, kur të vegjlit e lëshojnë folenë. Nëse nuk zhvendosen deri në vjeshtë, prindërit e tyre i largojnë nga territoret e tyre.

Korbi (sorra) konsiderohet si shpendi më inteligjentë dhe me aftësi të mëdha për të mësuar. Inteligjencën e veçantë e përdorin me rastin e zgjidhjes së gjetjes së ushqimit. Për më shumë informata ju këshillojmë të kthehen në Youtube duke kërkuar titullin Amazing Raven – Intelegence test.

Studiuesit thonë se sorrat përdorin sinjale shumë të sofistikuara jo-vokale. Me fjalë të tjera, ata komunikojnë me gjeste. Një studim në Austri zbulon se korbi me sqepin e tij u tregon zogjve tjerë për objektin ashtu siç bëjmë ne njerëzit me gishtat e dorës.

Duke pasur parasysh këtë, u takon juve të gjykoni pse Allahu i Madhërishëm e dërgoi pikërisht këtë shpend ta mësoj djalin e Ademit si ta varros vëllaun e vrarë. Kjo është shumë e mundshme për shkak se ky shpend konsiderohet shumë inteligjent dhe dinak në krahasim me kafshët tjera.

Si duket përparësia e sorrës karshi kafshëve tjera është në inteligjencën e saj me të cilën e pajisi Krijuesi Suprem.

Burimi: Akos.ba

Përktheu: Arsim Dauti (Islampress)

Artikulli paraprakVIDEO – Dashnia për Allah
Artikulli vijuesFenomeni kuranor: Ata flinin, mirëpo sytë u lëviznin!