Shpresa për paqe mes qeverisë se Filipineve dhe muslimanëve

0
122

Qeveria e Filipineve dhe grupi kryengrites i myslimanëve në Jug të vendit njoftuan se kanë arritur një marrëveshje kuadër për paqe, gjë që mund t’i japë fund një konflikti që ka zgjatur 40 vjet dhe ka kushtuar më shumë se 120 mijë jetë. Fronti Islamik për Çlirim Moro është grupimi kryengrites që lufton forcat e qeverisë në Jug të Filipineve, ku popullata është në shumicë myslimane, ndryshe nga Filipinet në tërësi ku dominon katolicizmi. Marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve që u zhvilluan në Malajzi dhe pritet të nënshkruhet formalisht më 15 tetor në kryeqytetin e Filipineve, Manila.

“Kjo marrëveshje kuadër i shtron rrugën paqes finale në Mindanao”, deklaroi Presidenti i Filipineve, Benigno Aquino. Paqja qe negociuar disa herë në të shkuarën pa shumë sukses. Ajo parashikon krijimin e një rajoni autonom për popullatën maure, që jeton në disa ishuj në jug të arkipelagut. Grupimi islamik, më herët pati refuzuar propozimin për autonomi, duke kërkuar një shtet të pavarur. Filipinet shtrihen në më shumë se 7 mijë ishuj dhe kanë një popullatë prej 95 milionë banorësh. Ky vend është përballur me shumë lëvizje kryengritese në të shkuarën ku perveç grupimeve myslimane, ka pasur probleme edhe me rebelët komunistë.