Disa trafikantë shqiptarë rezultojnë të përfshirë në trafikun e sasisë rekord prej 8 tonësh kokaine, të kapur në Kolumbi të hënën.
Mediat italiane raportojnë se disa familje mafioze shqiptare kishin marrë përsipër trafikimin e një pjese të kësaj sasie nga Kolumbia në drejtim të Italisë.
Shqiptarët, sipas tyre, kishin raporte të shkëlqyera me narkotrafikantët kolumbiane.
Ata do ta trafikonin drogën për llogari të organizatës mafioze italiane, Ndrangheta, e cila më pas, po përmes Shqipërisë dhe zonave të tjera, arrin ta shpërndajë atë në të gjithë Europën.
Rreth 1.5 ton nga kokaina e kapur në Kolumbi ishte ndarë në pako dhe ishte bërë gati për t’u transportuar për në Itali nga shqiptarët.
Kokaina ishte fshehur në një plantacion bananesh në qytetin bregdetar Turbo.
Droga i përkiste grupit kriminal të njohur me emrin Klan Usuga, një nga bandat kriminale më të rrezikshme në Kolumbi. Presidenti i Kolumbisë e konsideroi si sasinë më të madhë të kokainës së kapur në vend, transmeton Tv Klan.