Shqiptari krijon aplikacion për t’i bërë të huajt zviceranë

0
162

Blerim Bunjaku është një ekspert i IT, afarist i suksesshëm dhe politikan i ri shqiptarozviceran që jeton në Winterthur të Zvicrës. Ai është bërë më shumë i njohur me kandidimin për një vend në Asamblenë e Winterthurit, me partinë që mbron vlerat e krishtera, EVP, vitin që shkoi.

Fakti se Blerimi, edhe pse mysliman po kandidonte për një parti evangjeliste kishte shkaktuar disa reagime në mediet zvicerane. Ai nuk kishte arritur të zgjidhej në postin e këshilltarit komunal por ishte zgjedhur përgjegjës për shkollat fillore të një zone të qytetit të tij, Winterthur-it.

Ndërkohë, Blerim Bunjaku ka shpallur kandidaturën e tij për deputet kantonal dhe nacional, po për EVP-në, në zgjedhjet që mbahen në prill, respektivisht në tetor të këtij viti.

Ajo që e bën Bunjakun aktual tash, është veç tjerash edhe fakti se ai ka realizuar një aplikacion interesant në shërbim të kandidimit të tij për deputet në nivel kantoni. Në këtë aplikacion 2.0 ai ka futur rubrikën “Schweizermacher” (“zviceranbërësi”, personi që ua jep shtetësinë zvicerane të huajve). Përmes kësaj rubrike, politikani i ri ofron leksione plotësuese mbi rregullimin shtetëror të Zvicrës, mbi historinë dhe njohuri të përgjithshme.

I pyetur nga albinfo.ch se çka nënkupton ky aplikacion, Blerim Bunjaku thotë se bëhet fjalë për një novacion që e ka bërë ai, çfarë nuk ka ekzistuar më parë në Zvicër.

“Me këtë aplikacion dëshiroj të ndihmoj të huajt që duan të marrin shtetësinë zvicerane, duke mësuar në mënyrë më të përmbledhur dhe më praktike atë që u duhet për një gjë të tillë. Por, ai mund të ju hyjë në punë edhe zviceranëve, pasi që në të ka informacione të dobishme për secilin. Ideja e Aplikacionit ishte që të bëj diçka për një integrim më të mirë të të huajve, pasi që shumica e politikanëve vetëm flasin rreth integrimit por nuk marrin kurrfarë iniciative, shton Bunjaku.

Përveç kësaj kuizi „Schweizermacher“ tregon vizuelisht edhe mënyrën e votimit në Zvicër, gjegjësisht mundësitë që i kanë votuesit për të dhënë votën e tyre. “Së shpejti vjen edhe Aplikacioni për Android në PlayStore“, thotë ai.

Të gjithë këtë a e bën në një mënyrë moderne dhe të kohës, duke e ditur se për të rinjtë, të cilëve në radhë të parë u dedikohet aplikacioni, është më praktike të informohen kështu se sa prej librave ose broshurave.

Nga ana tjetër, Blerimi është kundër përkthimit të tekstit të aplikacionit të tij në gjuhët tjera. Ai mendon kështu pasi që njohja e gjuhës, në këtë rast e gjermanishtes, është kushti kyç për integrimin prandaj nuk ka kuptim “lehtësimi” i mëtejmë i programit, duke e përkthyer.

Aplikacioni i Bunjakut deri më tash është vizituar rreth 1600 herë, gjegjësisht me një mesatare prej 20 herësh në ditë.

Edhe pse ka kaluar fare pak kohë nga krijimi, aplikacioni i shqiptarit ka bërë jehonën e vet në Zvicër. ”Tashmë janë paraqitur personalitete të ndryshme edhe nga politika. Shumica më përgëzojnë dhe kanë treguar mbështetjen e tyre. Gjithashtu më kanë kontaktuar edhe autoritetet e federatës. Jam në bisedime me to për të ardhmen…”. /albinfo