Athina zyrtare ndjek me shqetësim të madh rritjen e fluksit të refugjatëve nga brigjet turke drejt ishujve grekë dy javë pas grushtit të dështuar të shtetit në vendin fqinj.
Sipas të dhënave zyrtare të organeve greke, në 24 orët e fundit, më shumë se 165 refugjatë kanë mbërritur në Lesbos dhe Hios, ndërkohë që në këta ishuj, kampet ku strehohen mijëra të tjerë janë përtej kapacitetit, ndërsa në 12 ditët e fundit më shumë se 1000 refugjatë kanë hyrë nga Turqia në ishujt grekë të Egjeut.
Siç thekson shtypi grek, ky fluks i ri konfirmon shqetësimet e dukshme se zhvillimet e fundit në Turqi do të kishin ndikim edhe në marrëveshjen BE- Ankara, sidomos pas urdhrit që kanë marrë vëzhguesit turq në ishujt grekë për t’u kthyer në atdhe.
Megjithëse Ankaraja thekson se oficerët janë thirrur pasi u ka mbaruar afati i vizës në pasaporta dhe organet greke të rendit deklarojnë për gazetën “To Ethnos” se marrëveshja me Turqinë për deportimin e refugjatëve është ende në fuqi dhe se dëbimet e emigrantëve vazhdojnë normalisht, burime qeveritare po monitorojnë situatën për të kuptuar nëse tërheqja e oficerëve turq përbën një prej problemeve të brendshme pas puçit në Turqi, apo një mesazh për degradimin e marrëveshjes në fjalë.
Athina deklaron se ishte një fakt pozitiv që Komisioni Europian aprovoi edhe një paketë tjetër prej 1.4 miliard euro për Turqinë dhe 3 milionë refugjatët që ajo mban në territorin e saj.
Por askush në Greqi, ku tashmë mbahen në kampe të ndryshme mbi 57 mijë emigrantë, nuk do që të rikthehen skenat e vitit të kaluar kur më shumë se 1 milion refugjatë kryesisht sirianë, vërshuan nga brigjet turke drejt ishujve grekë dhe më pas drejt Europës Qendrore, duke sjellë BE përballë një prej sfidave më të mëdha në dekadat e fundit.