Shtohet misteri i shëndetit të Putinit

Misteri mbi shëndetin e Vladimir Vladimirovich Putin sa vjen e shtohet, pavarësisht përpjekjeve të zyrës së shtypit të Kremlinit për ta fashitur atë.

Situata e tij të kujton atë të fillimit të viteve ’80, kur ishte vënë në dyshim gjendja e Leonid Brezhnev, i cili u mbajt në jetë nga mjekët deri në vitin 1982, kur u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare.

Më pas dolën simptomat mbi gjendjen shëndetësore të Yurij Andropov, i cili mori vendin e Brezhnev por ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare, më pak se dy vjet më pas.

Pas tij ishte radha e Konstantin Chemenko, presidenca e të cilit zgjati 13 muaj, deri në vdekjen e tij në vitin 1985, kur ishte 73 vjeç.

Për Putin, që sapo ka mbushur 60, bëhet fjalë për një incident që i ka shkaktuar dhimbje të forta në kurriz dhe ndoshta një dëmtim në shtyllën kurrizore.

Pavarësisht përgënjeshtrimit nga zëdhënësi i tij, zërat kanë filluar të qarkullojnë sërish nga Japonia, pasi kryeministri Yoshihiko Noda ka deklaruar se ka anuluar një vizitë në Moskë në ditët e para të dhjetorit, për shkak të mungesës së gatishmërisë nga ana e Putin.

Edhe në këtë rast nga Moska ka ardhur një valë përgënjeshtrimesh. Gjithsesi, prova vendimtare do të jetë në ditët e ardhshme.

Të hënën Putin duhet të shkojë për një vizitë në Turqi, të mërkurën duhet të jetë në Turkmenistan për një samit, më 7 dhjetor do të jetë në Detin e Zi për inaugurimin e gazsjellësit South Stream dhe më 21 në Bruksel, për një takim BE-Rusi./koha/kohaislame

Artikulli paraprakRusia merr kryesimin e G20-ës
Artikulli vijuesZyrtarët francezë: Asad ka humbur moralin dhe politika e tij nuk është e mirë