Enkel Demi
Ajo është një vajzë që thotë se është këngëtare. Nuk e njihja këtë artiste, madje fotot e saj i pashë këto ditë në rrjet. Nuk mund të them që nuk më bëri përshtypje, megjithatë për të shuar kërshërinë lundrova në internet dhe gjeta këngët e saj. Çika bukuroshe nga Puka ka dy hite “T’sunami” dhe “Loca loca”. Nuk do të bëj asnjë koment për to, sepse do ngjaj old fashion, por prej tyre kuptova mjaft në lidhje me këtë personalitet.
Vajza u bë e njohur, sepse tha copë që një deputet i martuar i Partisë Demokratike e kishte lutur të bëhej e dashura e tij, me premtimin se do e mbante si vajzë sheiku. Nisi menjëherë hetimi nëse deputeti ishte geg a tosk, madje pati përpjekje të lavdërueshme për të bërë një identikit të tij. Duket goca, pasi kuptoi që kjo histori mund të mbante, të nesërmen për par condicio tha se një ofertë të ngjashme kishte marrë edhe nga një ministër socialist. Meqë prej vitesh jemi një shoqëri voyeuriste që jemi mësuar ta shohim botën si telenovelë nuk është çudi që të presim episodin ku do na dalë sipërmarrësi, më pas ndonjë ambasador, gazetar e nuk di se kur mund të sosë kjo lypje publike.
Xhesika ka gjasa të ketë treguar të vërtetën dhe tronditja e shkaktuar ka po kaq gjasa të jetë mbjellë në një ambjent të përshtatshëm, ndaj nuk ka përse të mos besohet, madje nuk ka përse të fshihemi pas gishtit. Në Shqipëri njerëzit e kamur disi ose të pushtetshëm, me një pozitë shoqërore të lakmueshme e kanë kthyer kurvërinë në standard moral. Bigamizmi ose marrëdhëniet paralele janë një farë vlere që i përkasin shoqërisë sonë. Këtu, politikanë, pasunarë, gazetarë, pronarë mediash e jetojnë ditën duke ulur brekët, duke dërguar sms, prenotuar oda bujtinash, shtëpi me qira, madje duke patur nga dy-tre familje dhe disa palë fëmijë.
Në Shqipëri kjo nuk përbën kurrfarë skandali. Ka plot prindër që kanë pranuar ta kenë bijën mantenutë, por u pëlqen jeta e saj, fjala vjen me një BMW X5. Kjo ndodh ditës për diell, ndaj këngëtarja u besua pa një pa dy.
Në Shqipëri askush nuk u ndje keq që për muaj e muaj drejtuesit e një media u kthyen në kodoshë të pronarit, i cili kishte kërkesa të veçanta për moshën e vajzave që kalonin në audicione. Një modele e talentuar, shumë e bukur nuk pranoi të shkonte në këtë shtrat duke preferuar të fejuarin e saj të panjohur në faqet VIP. E zbuan nga puna dhe e zhdukën nga ekrani. Tek ne, megjithëse jemi treg shumë i vogël ka udhëheqës të rëndësishëm programesh që promovojnë vajza në televizion dhe politikë në shkëmbim të favoreve seksuale, madje kjo dallohet ashiqare në TV, por nuk konsiderohet imorale. Në politikë karrierat shpesh përcaktohen nga ofshamat që lëshohen në zyrat e kateve të larta.
Të gjithë e dinë në Shqipëri që shumë nga personazhet e njohur të faqeve rozë janë escort ose si i thonë në shqip shoqëruese të shtrenjta. Vajza që nuk kanë punuar qoftë dhe një ditë, i sheh të hedhin në rrjete sociale foto në avionë privatë, plazhe eksluzivë, në qytete dhe hotele tejet të shtrenjtë mbuluar me stoli marramendëse.
Vajza nga Puka, ndoshta në mënyrë të rëndomtë vuri në pah vanitetin konsumist të kësaj shoqërie, e cila nuk beson në asnjë vlerë, përveç shpenzimit të vrullshëm të parave dhe lapërdhive. Ndoshta ajo nuk e di që mësues në Pukë ka qenë Migjeni, njeriu që shkroi tregimin “Historia e njenës nga ato”, rrëfenjë e cila përsëritet brez pas brezi, nga gjyshi tek biri dhe më pas tek nipi.