Si do të jenë shkollat në vitin 2020?

Parashikimet thonë se në vitin 2020, studentët do të kenë mundësi të udhëtojnë virtualisht nëpër kontinente për të ndjekur një shkollë në anën tjetër të botës. Kjo do të bëhet e mundur falë mësimit në distancë dhe jashtë klasave tradicionale të sotme. Këto janë përfundimet e një sondazhi të realizuar nga Pew Internet & American Life Project.

Në këtë studim, u pyetën 1,021 ekspertë mësimdhënieje, hulumtues, drejtues universitetesh, profesorë etj. Rreth 60% e të intervistuarve mendojnë se në 2020-ën, edukimi i lartë do të jetë komplet ndryshe nga ai i sotmi. Ndërsa 39% e tyre mendojnë se struktura tradicionale e universiteteve nuk do të pësojë ndryshime të ndjeshme përveç përfshirjes së thellë të teknologjisë në mësimdhënie.

Nëse sot pjesëmarrja fizike në klasë ka rëndësi të madhe, në të ardhmen do të zhvillohen telekonferencat, universitet do të kthehen online dhe mësimdhënia në distancë do të çojë tek kampuset hibride, thonë ekspertët. Këto kampuse hibride do të integrojnë mësimin online me takimet në klasë.

Aktualisht, kreditë studentore në ShBA kapin shifrën e 1 trilionë dollarëve. Me ndryshime si ato që u përmendën më lartë, universitetet do të jenë më ekonomike dhe ndjekja e tyre do të jetë më e përballueshme. Të gjitha këto do të varen drejtpërdrejt nga përhapja dhe zhvillimi i rrjeteve (të internetit) me shpejtësi të lartë.

Studimi tregon që një pjesë e madhe e të anketuarve besojnë se përmes kësaj strukture do të reduktohet stresi i financimit të studimeve dhe në të njëjtën kohë, ndarjeve mes studentëve.

Psh. sot Khan Academy ka mbi 3,300 video pa pagesë (në YouTube) për këdo në botë mbi një sërë fushash si matematikë, shkencë, financa dhe njohuri njerëzore. Kushdo në botë mund t’i qaset kësaj biblioteke videosh për të mësuar diçka mbi kiminë organike apo mikroekonominë.

Besohet gjithashtu se mësimi në distancë do të rrisë krijimtarinë që sot mungon në shumë kampuse. (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakBota mbyllë sytë para masakrimeve të tmerrshme në Birmani (Burma)
Artikulli vijuesKoalicioni PDK-AAK varet nga Haga