Si e duan serbët implementimin e IBM-së?

Të hënën do të ndodhë vazhdimi i dialogut teknik për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të vendkalimeve kufitare (IBM). Beogradi kërkon që paratë nga doganat të shkojnë tek një xhirollogari e dedikuar për veriun e Kosovës dhe që doganierët kosovarë të jenë vetëm vëzhgues.

Ky është qëndrimi që të hënën do ta propozojë pala serbe, një ditë para takimit mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb Ivica Dacic.

Siç raporton “Novosti”, për këto kërkesa kanë debatuar sot në Qeverinë e Serbisë, dhe në qoftë se zbatohet kjo kërkesë, atëherë do të shuheshin mosmarrëveshjet në mes të Beogradit dhe liderëve të serbëve në veri të Kosovës.

Shefi i ekipit serb për dialogun teknik, Dejan Pavicevic, i cili të hënën do të takohet me Edita Tahirin, deklaron se protokolli teknik për zbatimin e IBM-së nuk mund të ndryshohet, por ai shton se “do të tentojmë që kërkesat e njerëzve tanë në veri t’i vëmë në dokumentet që do ta përcillnin implementimin e IBM-së”.

“Në këtë po punojmë dhe shpresojmë se do t’ia dalim”, ka thënë ai.

Përveç çështjeve të doganave, serbët në veri kërkojnë të mos kenë dokumente dhe targa të Kosovës. Liderët e serbëve të veriut të martën do të shkojnë tek presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, i cili do t’i informojmë në lidhje me atë që do të arrihet.

“Çdo gjë që bëjmë është në interesin e serbëve në Kosovë. Dhe, çfarëdo që të ndodhë, ata kurrë nuk do të jenë për mua palë kundërshtare. Ne të gjithë duhet të jemi një palë. Kam besim tek bashkatdhetarët e mi”, thotë Aleksandar Vulin, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kryetari ilegal i Mitrovicës, Krstimir Pantic, thotë se barrikadat janë të mundshme, por se “shpreson se kjo nuk do të ndodhë.”

“Nuk duam konflikt me qeverinë tonë. Por, përpiqemi të shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike që të shprehim mospajtimin me tentimet që të na imponohet diçka që nuk është e natyrshme”, thotë Pantic.kohaislame

Artikulli paraprakErdogan, Berishës "frikacakë"!
Artikulli vijuesPër krime e gjenocid, serbët dënohen me 1125 vjet burg!