Si mund ta dimë që një person është i sëmurë nga xhindet?

Pyetje: Allahu ju shpërbleftë për të gjitha. Më shpjegoni lidhur me xhindet, nëse një person është i sëmurë nga ata si mund ta hetojmë, si dhe a mund të jetë xhindi në brendi të njeriut, ose a mund vetëm ta prekë njeriun? Rukja që na ka shpjeguar Pejgameri jonë, paqja dhe lavdia qoftë mbi të, a është mënyrë shërimi. Këtë metodë a mund ta praktikojë çdokush apo janë njerëz të specializuar, sepse kam parë raste që pos leximit të Kuranit e rrihnin personin dhe shiheshin gjurmët e goditjeve në trupin e tij? Sa është mundësia që nëse shërohet një herë prapë të kthehet në trupin e tij, nëse e kryejmë namazin dhe e lexojmë Kuranin? A është e vërtet që mund ta mbysin xhindin ata të cilët merren me këtë punë? E lus Allahun të na ruajë nga të gjitha të këqijat!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Bota e xhindeve është realitet dhe ne muslimanët nuk kemi asnjë dyshim për këtë sepse Allahu disa herë ka folur për ekzistimin e tyre:

“Nuk i kam krijuar njerëzit dhe xhindet përveçse të më adhurojnë” (Dharijat 56). “Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu siç është vorba e pjekur, e xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit” (Rahman 15-16).

Po ashtu, ata kanë mundësi të prekin njeriun, të hyjnë në trupin e tij madje të bëjnë lëvizje me trupin e tij, Allahu ka thënë: “Ata që hanë kamatën, do të ringjallen sikur ai që shejtani e ka çmendur me prekjen e vet” (Bekare 275) d.m.th. kur të ngrihen ditën e Gjykimit do të ngrihen sikur ata që janë të prekur nga xhindet.

Pra, njeriu ka mundësi të jetë i prekur nga xhindet drejtpërdrejtë, nga mësyshi, apo nga magjia (sihri).

Ata që kanë më shumë përvojë lidhur me këtë, kanë përmendur shenjat si mund të hetojmë njeriun nëse është i prekur nga xhindet:

– kthimi i shpinës dhe ikja e qartë nga dëgjimi i ezanit apo Kuranit,

– alivanosja, rrëzimi apo humbja e vetëdijes në rast se i lexohet Kuran,

– nëse sheh ëndrra të trishtueshme shpesh,

– parapëlqimi i vetmisë dhe izolimit,

– kur i lexohet mund të flasë xhindi nga goja e tij dhe kjo do të vërehet qartë nga zëri dhe artikulimi i fjalëve.

Shenjat e atij që është i sëmurë nëpërmjet magjisë (sihri):

– urrejtja e papritur dhe e palogjikshme e atij që është i sëmurë ndaj gruas së tij, apo nëse është grua ndaj burrit të saj, siç na tregon Allahu: “ata mësojnë nga ata dy atë me çka do ta ndajnë njeriun nga çifti i vet”,

– ndryshimi i gjendjes së tij kur është jashtë shtëpisë dhe brenda shtëpisë p.sh. kur është jashtë përmallohet të takohet me anëtarët e familjes, e kur kthehet në shtëpi shpreh një urrejtje dhe mllef të madh ndaj tyre,

– nuk ka mundësi të bëjë marrëdhënie intime me gruan (ose burrin),

– abortet e njëpasnjëshme nga gruaja shtatzënë,

– ndryshimet e befasishme në sjellje dhe veprime, pa ndonjë shkak të qartë,

– nuk i hahet buka assesi,

– i përfytyrohet se ka bërë diçka, ndërsa në fakt nuk e ka bërë,

– bindja e verbër dhe dashuria e befasishme dhe ekstreme ndaj ndonjë personi të caktuar.

Kurse nëse dikë e kanë marrë mësysh, këto mund të jenë shenjat, siç ka përmendur dijetari Abdulaziz esSed’han – Allahu e ruajttë – :

– kokëdhimbje në vende të ndryshme të kokës,

– verdhësi në fytyrë,

– djersitje e madhe dhe urinim i shpeshtë,

– apetit të dobët,

– temperaturë të ulët apo të lartë në ekstremitete,

– rrahje të shpeshta të zemrës,

– dhimbje në fund të kurrizit apo në shpatulla,

– pikëllim dhe ngushtësi në gjoks,

– gjeste të papritura nga ndonjë frikë e panatyrshme,

– dembeli dhe plogështi,

– probleme shëndetësore pa ndonjë shkak të qartë mjekësor, etj.

Kujdes:Nëse vërejmë ndonjë nga këto shenja te dikush, nuk duhet të themi menjëherë se ai është i sëmurë apo i prekur nga xhindet, sepse mund të ndodhë diçka nga këto për shkaqe tjera fizike apo psikike.

Lidhur me mjekimin e të gjitha këtyre, shkurtimisht janë këto:

1. Mbështetja e fortë tek Allahu, kthimi në rrugën e Islamit dhe pendimi për gjynahet e bëra.

2. Rukja (yshtja) dhe duatë e ndryshme. Më të rëndësishmet janë: surja Felek dhe surja Nas, sepse me to u shërua edhe Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem nga magjia që i kishin bërë. Nuk mund të kërkojmë më së miri mbrojtjen sesa me ato dy sure. Mirë është t’ua bashkëngjitim edhe suren Ihlas e po ashtu suren Fatiha. Me këto do të bëjmë një rukje të suksesshme inshallah, dhe për këtë nuk duhet të jesh i specializuar me shkollë të veçantë apo diç tjetër.

Gjithashtu kemi mundësi, duke mjekuar nga magjia (sihri) të marrim shtatë fletë nga lotusi (sidër) i gjelbër, ta shtypim atë e pastaj ta hedhim në një enë, ku do të hedhim aq ujë që do të mjaftonte sa për tu larë, e në atë enë lexojmë Ajetul Kursinë, suret el Kafirunë, Ihlas, Felek, Nas dhe ajetet e sihrit: në suren Bekare ajeti 102, në suren Araf 117-119, në suren Junus 79-82, në suren Taha 65-69; gjatë leximit fryjmë në atë enë, pastaj i sëmuri e pi pak nga ai ujë dhe pastaj lahet me atë ujë. Këtë e kanë provuar shumë nga besimtarët e hershëm dhe ka pasur dobi.

3. Gjetja e sihrit dhe prishja e tij, sikurse gjetja e ndonjë hajmalie, ndonjë qeseje ku ka gjëra të çuditshme apo të fëlliqura, të cilat i prishim duke kënduar Kuran, pra, duke lexuar suren Fatiha apo Ajetul Kursinë.

4. Përdorimi i disa ilaçeve të lejuara, siç është ngrënia e shtatë hurmave të llojit Axhve apo nga hurmat e Medinës në përgjithësi.

5. Bërja e hixhames në vendin ku ndjen dhimbjen. Këtë duhet ta bëjnë njerëz të specializuar apo që kanë përvojë, sepse mund ta dëmtojmë njeriun nëse nuk dimë.

6. Duaja, lutja e madhe ndaj Allahut për tu shëruar. E përmenda në fund për ta mbajtur mend më mirë dhe jo pse është më pak e rëndësishme sesa të tjerat.

Duhet mos harruar se edhe sëmundja nga xhindet është sikur sëmundjet tjera, sprovë nga Allahu, me çka Allahu të sprovon kur të dëshirojë, pra, ka mundësi të shërohet dhe prapë të sëmuret, mirëpo ne prapë duhet të përdorim udhëzimet dhe porositë e lartpërmendura, por nëse i bëjmë shkaqet e mbrojtjes namazin, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit, atëherë më pak shans kanë xhindet të sulmojnë besimtarin.

Kurse sa i përket rrahjes së trupit të pacientit, disa që kanë përvojë thonë se është e dobishme në raste të veçanta, por kisha thënë që kjo le të mbetet për ata që janë të specializuar dhe me përvojë, përndryshe mund t’i bëjmë padrejtësi personit të sëmurë.

Ndërsa lidhur me vrasjen e xhindeve nga njeriu, kjo është gati e pamundshme, sepse Allahu na ka thënë: “Ai ju sheh prej nga ju nuk e shihni” e përderisa nuk i shohim, nuk mund t’i vrasim. Një sahabij, njëherë kishte hyrë në shtëpi dhe kishte parë një gjarpër, por ai kishte qenë xhind në formë gjarpri dhe ka tentuar ta vrasë, por transmetuesi thotë: “nuk jam i sigurt kush vdiq i pari, sulmuesi (njeriu) apo gjarpri (xhindi)” d.m.th. njeriu arriti ta vret pasi e gjet në formë tjetër, mirëpo edhe ai e vrau njeriun. Kurse magjistarët, të cilët janë të lidhur me shejtanë të mëdhenj, ata kanë mundësi t’i vrasin xhindet tjerë nuk këta të fundit nuk zbatojnë urdhrat e magjistarit.

Allahu na ruajttë që të gjithëve nga sherri i njerëzve dhe xhindeve. I shëroftë ata që janë të prekur apo të sëmurë nga magjitë dhe i shkatërroftë bashkëpunëtorët e shejtanëve. Amin! (radio pendimi)

Artikulli paraprakGjykimi i magjisë dhe fallit. Mënyra e shërimit prej saj.
Artikulli vijuesSIHRI DHE SHËRIMI I TIJ ME KUR’AN