Si u zbulua Aspirina!

Aspirina ishte ilaçi i parë që do të përdorej masivisht në botë për qetësimin e dhimbjeve.

Aspirina u zbulua në vitin 1897 nga Felix Hoffmann, kimist në kompaninë gjermane Bayer, pas idesë së superiorit të tij Arthur Eichngrun. Ai e zbuloi Aspirinën duke kërkuar një ilaç që do të qetësonte dhimbjet e babait të tij.
Ai përfitoi grupin hidroksil (OH-) të acidit salicilik me një grupacetil, duke formuar kështu acidin acetik salicilik. Një përbërje e tillë paraqiste të njëjtat efekte terapeutike të acidit salicilik, por me më pak efekte anësore. Lindi kështu ilaçi i parë sintetik, një molekulë e re, jo më një kopje e një molekule që ekzistonte tashmë në natyrë…dhe kështu lindi industria farmaceutike moderne.
Deri në vitin 1971, të gjithë e përdornin Aspirinën por nuk dinin shumë për të. Prof. John R. Vane zbuloi mekanizmin e veprimit të aspirinës dhe për këtë zbulim fitoi Çmimin Nobel.

Si funksionon aspirina?

Në një zbulim që e kurorëzoi me çmimin Nobel, londinezi John Vane tregoi se aspirina në organizmin e njeriut bllokon prodhimin e prostaglandinave dhe të tromboksanëve. Kjo ndodh sepse enzima ciklooksigjenaza (e përfshirë në sintezën e tyre) frenohet në mënyrë të pakthyeshme kur aspirina e acetilon

Prostaglandinat janë hormone lokalë të prodhuar nga trupi ynë dhe që kanë funksione të ndryshme, mes këtyre janë transmetimi i sinjalit të dhimbjes në tru dhe modulimi i temperaturës së trupit në nivel të hipotalamusit.

Tromboksanët janë të përgjegjshëm për grumbullimin e trombociteve, që formojnë koagulat (copëzat e mpiksura) e gjakut. Ataket kardiake rrjedhin në sajë të bllokimit të rruazave të gjakut nga copëza gjaku të mpiksur. Përdorimi i një sasie të vogël aspirine çon në një reduktim të numrit të koagulave; efekti anësor është një aftësi më e vogël e gjakut për tu mpiksur, që përkthehet në një hemorragji më të madhe në raste plagosjeje.

Kërkime më bashkëkohore kanë treguar se ekzistojnë dy lloj ciklooksigjenazash (COX-1 dhe COX-2). Aspirina i frenon te dyja. Barna të reja antiinflamatore jo steroide, të quajtur “frenues selektivë të COX-2”, përdoren me shpresën që të paraqesin efekte anësore më pak të dëmshme në lidhje me sistemin gastrointestinal.

Pse quhet Aspirinë

Emri ”aspirina” e ka prejardhjen nga Bayer Company më 6 mars 1899, të cilët formuluan parashtesën “a” (për grupin acetil) me “spir” (nga bima Spiraea, nga ku del acidi spireik, ose acidi salicilik) dhe me prapashtesën “ina” (që përdorej në përgjithësi për ilaçet e epokës).
(Albeu)/dritaislame/koaislame

Artikulli paraprakShuhen tri sajtet më të mëdha për aplikacionet pirate Android
Artikulli vijuesTech LG UDTV me 84 inçë