Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje organeve kompetente të drejtësisë të rishqyrtojnë “domosdoshmërinë” e masës së paraburgimit ndaj policit i cili vrau para disa ditëve një person në Deçan.
Sipas kësaj sindikate, polici “gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ka përdorur armën e tij zyrtare me qëllim të parandalimit të sulmit ndaj tij”.
“Pa pasur qëllim ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, konform legjislacionit në fuqi u bëjmë thirrje organeve kompetente të drejtësisë të rishqyrtojnë “domosdoshmërinë” e masës së paraburgimit. Theksojmë se sulmet mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk mund të definohen ndryshe përpos akte të dhunshme ndaj Policisë, të cilat janë të dënueshme dhe të sanksionuara me ligj”, thuhet në një komunikatë për media.
Sindikata po ashtu shpreh ngushëllime familjes së viktimës.