Neonazistët grek kërkojnë mbylljen e shkollave shqipe

Partia neofashiste “Agimi i Artë” i ka kërkuar Qeverisë greke dhe Ministrisë së Arsimit që të mbyllë menjëherë shkollat në gjuhen shqipe në Greqi. Kjo parti gjithashtu kërkon të çojë përpara drejtësisë personat që kanë lejuar një gjë të tillë në disa zona në shtetin fqinj.
Sipas lëvizjes politike neonaziste greke dhe deputetit të saj Panajotis Iliopulos, kjo lëvizje kundërshton me forcë dhe do të bëjë të gjitha lëvizjet në Parlamentin grek që të mbyllen këto programe dhe shkolla në gjuhën shqipe, shkruan gazeta “Shekulli.

Sipas tyre, nuk ka asnjë marrëveshje dhe strategji nga qeveria dhe Ministria greke e Arsimit për hapjen e shkollave shqipe në Greqi, duke deklaruar se, të gjithë ata që kanë marrë vendime të tilla, do të gjejnë përballë “Agimin e Artë” dhe do të ndëshkohen nga ligji.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp në faqen zyrtare të neonazistëve grekë, bëhet e ditur se, “Eksponenti dhe deputeti i Magnisisë, në Greqi, Panajotis Iliopoulos, dorëzoi një kërkesë për informacion dhe mocion për debat në Ministrinë e Arsimit në Greqi”. Mocioni për debat ka të bëjë me informimin e Parlamentit dhe deputetëve greke të “Agimit të Artë”, sa i përket ligjshmërisë së funksionimit të shkollave në gjuhën shqipe, hapur kohët e fundit në Greqi, e në mënyrë të veçantë në shkollat publike në qytetet Volos dhe Domokos, transmeton INA.

Ministria greke e Arsimit në përgjigje të kërkesës së “Agimit të Artë”, më 16 nëntor 2012, u përgjigj zyrtarisht duke deklaruar se “Nuk ka dhënë asnjë leje të posaçme për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe as parashikon hapjen e shkollave të tilla në Greqi. Nuk ka asnjë marrëveshje Greqi-Shqipëri për këtë çështje. Në rast të funksionimit të paligjshëm të shkollave në gjuhë të huaja, do të veprojnë menjëherë organet kompetente për të marrë të gjitha masat sipas ligjit në fuqi”. /kohaislame

Artikulli paraprakVendosen 100 flamuj kombëtar në Prekaz
Artikulli vijuesAnonymous në luftë me Izraelin