Kostoja e Ligjit dhe fillimi i mbledhjes së,‘premiumeve’ e kanë bërë të paqartë nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, megjithëse i njëjti qe paraparë të fillonte nga janari i këtij viti. Projekti u tha se shtyhet për në muajin korrik, me arsyetimin e qartësimit të mëtejmë të tij.
Qeveria e Kosovës miratoi vitin e kaluar Rregulloren për Menaxhimin Financiar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Statutin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke planifikuar ndarjen e 17 milionë eurove për të punësuarit në sektorin publik dhe rreth 14 milionë euro për sektorin privat.
Kjo me qëllim të nisjes së zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore.
Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani në një bisedë për Radion Evropa e Lirë e ka cilësuar si vendim politik Ligjin për sigurime shëndetësore.
“Realisht nëse fillon mbledhja e premiumeve, ne nuk jemi të përgatitur për shërbime. Ne nuk kemi as shërbim të informimit shëndetësor i cili është baza e sistemit të kontrollit. Puna e mjekut, furnizimi e gjithçka tjetër”.
“As sistemi i shërbimit shëndetësor nuk është gati. Janë mbajtur trajnime për mjekë e infermierë, para disa kohësh, por ende nuk janë funksionalizuar teknika që ne kemi mbajtur trajnime. Pra, mendoj se është problem i madh, pasi duhet të investohet shumë në QKUK, në mënyrë që pacienti kur vjen me kartelë të sigurimit shëndetësor të marrë shërbime cilësore”.
“Nuk ka ende listë të shërbimeve e as çmimore. Pra, unë nuk e di se sa është gati për zbatim të ligjit. Dhe unë mendoj se është vendim politik dhe si i tillë do të mbetet”, ka thënë Selmani.
Ekspertët kanë vlerësuar se për një vit do të mblidhen rreth 60 milionë euro derisa, sipas ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, me kalimin e viteve dhe futjen në sistem të të gjithë kontribuesve, buxheti mund të shkojë edhe deri në 100 milionë euro në vit.
Sipas ministrit Rrahmani, për zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore gjithçka është gati, por me vendimin e Qeverisë së Kosovës, mbledhja e premiumeve është shtyrë për muajin korrik të këtij viti.
‘’Ne kemi kërkuar nga qeveria të niset mbledhja me 1 janar pasi kemi pasur plan veprimi si do të vijmë deri tek të gjitha dokumentacionet dhe përgatitjet për të ofruar shërbimet shëndetësore. Por, për vërejtjet që janë bërë kemi shtyrë mbledhjen e premiumeve për 6 muaj. E kemi zbërthyer Ligjin për sigurime shëndetësore deri në atë masë sa që kemi ardhur në pikën se sa do t’u kushtojë qytetarëve që as nuk janë në skema sociale e as të punësuar”, ka thënë Rrahmani në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se ‘rreth 300 mijë fletëpalosje tashmë janë të gatshme dhe do të shpërndahen për informimin e qytetarëve’.
Ndërkohë edhe drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike, Basri Lenjani, ka thënë se me fillimin e mbledhjes së të hollave nga qytetarët do të bëhet një hap pozitiv në shëndetësinë e Kosovës.
“Shërbimet emergjente, tash për tash, garantojnë ofrime të shërbimeve gratis. Por, sa i përket rimbursimit, do të ishte mirë, pasi përmes mjeteve materiale do të sigurohej furnizim i mirë. Ndonëse ne kemi shumë njerëz në asistencë sociale, për ata që marrin shërbime do të paguajë Qeveria e Kosovës. Do të jetë një hap pozitiv dhe do të jetë një komponentë e rëndësishme për funksionalizimin e sistemit shëndetësor në tri nivelet”.
“Dhe mendoj se mjetet financiare do të ndikojnë që pacientët nuk do të vijnë pa nevojë në emergjencë, siç është tani, por do t’i marrin shërbimet në nivelin parësor dhe dytësor, pasi kushtet e trajtimit do të përmirësohen”, është shprehur Lenjani.
Ndryshe, Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004, kurse ishte miratuar në vitin 2007. Por, pas rekomandimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ishte tërhequr dhe nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të implikimeve buxhetore.
Sidoqoftë, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e mbledhjes së premiumeve për Sigurime Shëndetësore ka ardhur pas kërkesës së bërë kohë më parë nga Këshilli Përgatitor për Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili kishte kërkuar që Qeveria të miratojë fillimin e mbledhjes së premiumeve, gjë që është e përcaktuar me ligj. (REL)