Siri – 200 të vdekur në përleshjet mes kryengritësve dhe forcave të Esadit

Ushtria siriane ka shtuar numrin e sulmeve kundër vendbanimeve që kanë kaluar në duart e opozitarëve.

Njoftohet se në operacionet që forcat e Esadit kanë organizuar me mbështetjen e avionëve luftarakë dhe reparteve të blinduara kanë gjetur vdekjen më shumë se 200 persona.

Observatori sirian me selinë Londër bëri të ditur se repartet e varura nga Beshar Esad në operacionet që kanë organizuar kundër opozitarëve të regjimit kanë marrë në shënjestër qytetet Damask, Idlib, Halep, Humus, Hama, Derae, Bejru’s Zor dhe fshatrat e Lazkijes.

Përreth bazës ushtarake ajrore Neyrab që ndodhet në Halep, qytetin e dytë më të madh të vendit, vazhdojnë përleshje shumë të ashpra me armë ndërmjet forcave të Esadit dhe Ushtrisë për Sirinë e Lirë.

Në një video të re që është publikuar në rrjetet sociale të internetit duken trupat e 65 personave të goditur në qafë me duar të lidhura nga prapa dhe të hedhur në anë të një lumi.

Mes pamjeve rrëqethëse duken edhe fëmijë të vegjël, gjë që e bën situatën edhe më dramatike.

Kurse në pamjet që vijnë nga një qytezë e vogël afër Damaskut duket një ushtar i Esadit i cili mundohet të xhirojë përleshjen me armë me anë të një kamere të vendosur në mur, por në fakt ka regjistruar çastet e fundit të jetës së tij.

Në video ushtari duket ndërsa është duke u rrëzuar në tokë si pasojë e një plumbi që e ka goditur në kokë.

Bombardimet e avionëve luftarakë të Sirisë në qytezat dhe fshatrat afër Halepit kanë rrënuar me dhjetëra banesa e pallate.

Nga ana tjetër agjencia zyrtare e lajmeve të Sirisë, SANA, njoftoi se në operacionet e reparteve të ushtrisë në qytete të ndryshme të vendit janë asgjësuar deri në 100 opozitarë dhe janë djegur automjetet e tyre./trt/kohaislame

Artikulli paraprakPolicja angleze pranon Islamin duke i ndihmuar nje viktime muslimane
Artikulli vijuesKryepeshkopi Hrisostomos: Gazi për në Evropë të kalojë për nga Turqia