Presidenti Erdogan bën thirrje për bashkim global

Konfliktet me viktima të mëdha civile dhe migrimet masive duhet urgjentisht të zgjidhen përmes bashkimit, deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan.

Në vërejtjet e bëra gjatë “Konferencës për neutralitet” të mbajtur në kryeqytetin turkmen Ashkabat, Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan tha se “Konfliktet kanosin paqen dhe stabilitetin, si dhe pasigurinë që me vete bartin këto konflikte, në mënyrë të pakushtëzuar ndikojnë në të gjitha vendet”.
“Dëshiroj që këto konflikte, të cilat kanë dimensione humanitare me viktima civile dhe migrime masive, urgjentisht të zgjidhen në kuadër të ligjeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Presidenti Erdogan.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve që të marrin përgjegjësi, duke shtuar se bota do t’i tejkalojë konfliktet e ardhshme përmes unitetit.
Erdogan, po ashtu, potencoi “rëndësinë e veçantë” të lidhjeve mes Turqisë dhe Turkmenisë.
“Historia e rrënjosur dhe vlerat tona të përbashkëta që i kemi me Turkmeninë krijojnë bazë të fortë për marrëdhëniet tona dhe unë besoj se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të forcohen në periudhën e ardhshme”, shtoi ai.
“Dita e neutralitetit”, njeh dhe e mbështet statusin e shpallur për neutralitet të përhershëm të Turkmenisë. Sivjet mbushen 20 vite nga kjo ngjarje.
Turqia ishte vendi i parë që njohu Turkmeninë, e cila shpalli pavarësinë e vet më 27 tetor të vitit 1991, dhe e para emëroi ambasador në Ashkabat.
Vizita e kaluar e Erdoganit në Turkmeni ishte më 15 gusht të vitit 2013, në kohën kur ishte kryeministër i Republikës së Turqisë. Vizita e tanishme është vizita e parë në këtë vend në cilësinë e presidentit të Turqisë.

Artikulli paraprakBashar Asadi nis operacion tokësor për spastrimin e tukmenëve
Artikulli vijuesSiri-41 të vrarë nga sulmet e avionëve rusë në Halep