Siri: Përfundon Gjeneva II, të premten takim mes qeverisë dhe opozitarëve

Konferenca Gjeneva II, që u organizua në qytetin Montrë të Zvicrës me synimin që t’i japë zgjidhje luftës civile në Siri, mori fund sot me një sërë konferencash për shtyp.

“Tri vitet e fundit në Siri kaluan me masakra, sulme kimike, rrëmbime, tortura dhe vdekje. Mjaft më, tani është koha për negociata”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.

Ndërsa shefi i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Kerri, theksoi se Gjeneva II shënon fillimin e një procesi të vështirë dhe të koklavitur.

“Paqja dhe stabiliteti nuk do të vendosen për një natë, por e rëndësishme është që ky proces filloi”, tha sekretari amerikan i Shtetit në konferencën e shtypit.

“Askush nuk ka bërë më shumë se sa Beshar Esadi për ta shndërruar Sirinë në magnet të terroristëve. Ne nuk mund ta shpëtojmë Sirinë me Esadin në pushtet”, nënvizoi ai.

Në fund të deklaratës për shtyp, Xhon Kerri falënderoi Turqinë për kontributin e saj të deritanishëm në lidhje me realizimin e Konferencës Gjeneva II.

Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar tek salla, ku palët siriane do të mblidhen të premten në Gjenevë, nën drejtimin e përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lahdar Brahimi.

“Kemi disa shenja të qarta se palët kanë vullnetin për të diskutuar çështje si arritja te njerëzit në nevojë, lirimi i të burgosurve dhe armëpushimet lokale, por siguria është një luks shumë i rrallë në punën tonë”, tha Brahimi dhe shtoi se Sekretari Ban u ka përcjellë palëve siriane mesazhin: “Uluni rreth një tavoline të vetme dhe bisedoni shtruar të ardhmen tuaj!”

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë tha se do të bisedojë sot ndarazi me qeverinë siriane dhe përfaqësuesit e opozitës, për të përcaktuar mënyrën se si mund të arrihet një progres i shpejtë.

Ndërsa kryetari i Koalicionit Kombëtar Sirian të Forcave Opozitare dhe Revolucionare, Ahmed Xharba, u shpreh se duhet të shfrytëzohet ky shans për zgjidhjen e krizës në Siri.

Kjo do të jetë përballja e parë mes qeverisë dhe opozitës siriane prej marsit të vitit 2011, kur dhe nisi konflikti./trt/kohaislame

Artikulli paraprakGjyqtari kërkon që dëshmitarja ta heq mbulesën fetare
Artikulli vijuesAfrikë Qendrore: Të krishterët bastisën burgun, 5 muslimanë të vrarë