Rebelët e mbështetur nga Turqia kanë shtënë në duart e tyre qytetin me rëndësi simbolike të Sirisë, Dabiq, i cili deri më sot kontrollohej nga grupi i militantëve të Shtetit Islamik.
Lajmi konfirmohet nga vet komandantë të rebelëve, por edhe monitorues të situatës së trazuar në Siri. Njëri prej tyre, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDNJ-SOHR) bëri të ditur se rebelët hynë në Dabiq pasi anëtarët e Shtetit Islamik u tërhoqën.
Qyteti i vogël verior përbënte një vlerë të madhe për Shtetin Islamik për shkak të profecisë së një beteje apokaliptike, si dhe ishte një pjesë e pandashme e propagandës së xhihadistësve.
Avancimi në Dabiq është pjesë e një ofensive më të gjerë të grupeve rebele siriane. Ahmed Osman, komandant i grupit rebel “Sultan Murad”, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se grupi kishte shtënë në duart e tij edhe fshatin fqinj të Soranit.
“SOHR” bëri të ditur gjithashtu se për mbrojtjen e Dabiqit ishin sjellë rreth 1.200 luftëtarë nga grupi xhihadist. Vendi ndodhet vetëm 10 km larg kufirit të Sirisë me Turqinë. Në gusht, Ankaraja nisi një ofensivë të gjerë për të pastruar rajonin kufitar nga militantët, përfshi këtu ata të Shtetit Islamik por edhe luftëtarë rebelë kurdë.
Në shtator, kryeministri turk tha se vija kufitare prej 91 km ishte “siguruar tërësisht” dhe “të gjitha organizatat terroriste ishin zmbrapsur”.