Siri, rinisin bombardimet e rënda nga avionët rusë

0
321

Avionët rusë kanë rinisur sulmet ajrore pas një pushimi të shkurtër mbi zonat e kontrolluara nga rebelët në Aleppo, ndërsa aktivistët thonë se bëhet fjalë për bombardimet më të ashpra prej javësh. Raportohet se gjatë orëve të fundit janë vrarë rreth 25 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, si pasojë e bombardimeve.

Sulmet ajrore rinisën pas një pushimi të shkurtër, që qeveria siriane akordoi për t’iu mundësuar civilëve që të largoheshin nga zonat e rebelëve në lindje të qytetit. Ky i fundit është dërrmuar nga bombat e raketat, që pas dështimit të armëpushimit të negociuar nga SHBA-të dhe Rusia.

Sulmet ajrore në Siri rinisën pikërisht kur presidenti rus Vladimir Putin anuloi vizitën e tij të planifikuar në Francë, pasi homologu i tij francez Francois Hollande kërkoi që takimi t’i kushtohej Sirisë.

E ndërsa krerët e botës nuk janë të aftë as të ulen në tryezë minimalisht për t’u përpjekur për paqen siriane, nga terreni në Aleppo raportohet se kanë mbetur vetëm 11 ambulanca në qytet, pasi të tjerat janë shkatërruar nga bombat.

Organizata “Mjekët pa kufij” bëri të ditur se mijëra civilët e rrethuar në Aleppo kanë nevojë për gjithçka dhe se katastrofa humanitare tashmë është realitet.

OKB paralajmëroi më herët se zonat lindore të Aleppos, ku janë të rrethuar mbi 275 mijë civilë, mund të shkatërrohen plotësisht brenda dy muajve nëse nuk ndalen bombardimet. Por këto të fundit vazhdojnë të ashpra, ndërsa në krahun tjetër, diplomacia ka mbetur plotësisht në vend.