Në komunat Shtërpce, Pejë, Gjilan dhe Klinë në periudhën e ardhshme do të ndërtohen shtëpi për 51 familje të kthyera, transmeton Koha.net.
Ky vendim është marrë në takimin e Këshillit drejtues të projektit “Kthimi dhe riintegrimi në Kosovë”.
Takimi është mbajtur në Ministrinë për Kthim e Komunitete të Qeverisë së Kosovës.
Siç ka kumtuar kjo ministri, njofton radiokim, është hartuar lista e 51 familjeve me 214 anëtarë për të cilët do të ndërtohen shtëpi në komunat e përmendura, transmeton Koha.net.
Në kumtesë theksohet se gjatë takimit është prezantuar lista e 10 familjeve serbe të cilave do t’u ndërtohen shtëpitë në Mushtisht,Suharekë.
“Në kuadër të këtij projekti pritet lejimi i listës së të kthyerve edhe në komunat Istog e Obiliq, që do të mundësojë kthimin edhe të 50 familjeve dhe numri i tërësishëm i shtëpive që do të ndërtohen gjatë muajve të ardhshëm do të jetë mbi 100”, thotë kumtesa.
Ministri për Kthim e Komunitete Dalibor Jevtiq ka thënë se lidhur me sigurinë e të kthyerve ka biseduar me drejtorin e Policisë së Kosovës Shpend Maxhunin dhe me të është arritur marrëveshja për hapat konkretë që duhet të ndikojnë në përmirësimin e sigurisë në vendet e kthimit.