Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur me të – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Të mos e urrejë besimtari besimtaren, nëse nuk pëlqen prej saj një moral, do t’i pëlqejë një moral tjetër.” Muslimi[1]
Ky është udhëzim prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për burrin në sjelljen me gruan e tij, i cili është prej shkaqeve dhe nxitësve më të mëdhenj për bashkëjetesë të lumtur. Kështu e ndaloi besimtarin që të sillet keq me gruan e tij, dhe ndalimi nga diçka nënkupton urdhër për të kundërtën e saj. Dhe e urdhëroi që të shikojë në moralet e tjera të mira të saj, dhe gjërat që i përshtaten atij prej saj dhe t’i vërë ato përballë gjërave që urren prej saj. Kështu nëse burri mendon rreth moraleve të mira që ka gruaja e tij, dhe bukuritë e karakterit të saj që ai i do, dhe mendon pastaj rreth shkakut që e bën ta urrejë atë, dhe të bezdiset prej saj, do ta shikojë se është një gjë, apo dy, ndërsa gjërat që pëlqen prej saj janë të shumta. Dhe nëse është i drejtë do ta mbyllë një sy dhe një vesh nga sjelljet e pakta të këqia që ajo ka, për shkak se ato janë të pakta kundrejt të mirave që ajo ka.
Kështu vazhdon shoqërimi i mirë, zbatohen detyrimet e domosdoshme dhe të pëlqyeshmet, dhe ndoshta atë që nuk e pëlqen prej saj, ai përpiqet ta rregullojë, apo ta përmirësojë.
Ndërsa kush mbyll sytë përpara të mirave, dhe shikon vetëm të këqiat, edhe nëse ato janë të pakta, kjo nuk është drejtësi dhe ai nuk do të kënaqet me gruan e tij.
Njerëzit në këtë çështje janë tre llojesh:
Më i larti prej tyre është ai që shikon moralet e bukura dhe të mira, dhe e mbyll një sy dhe një vesh përpara të këqijave dhe i harron ato.
Më i ulti në aspektin e suksesit, të besimit dhe të moralit të mirë, është ai që e përmbys peshoren, duke i fshehur të mirat që ajo ka, – çfarëdo qofshin ato – dhe të këqiat i mban përpara syve gjithë kohës, dhe ndoshta i zmadhon ato dhe qimen e bën tra duke pasur mendim të keq dhe duke ecur me dyshime dhe pështjellime, të cilat të paktën e shfaqin të shumtë, ashtu siç tregon realiteti.
Dhe lloji i treti është ai që shikon të dyja çështjet, dhe krahason mes tyre, dhe sillet me gruan sipas çdonjërës prej tyre, dhe ky është i drejtë por është i privuar nga përsosmëria.
Ky moral për të cilin na nxit Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – duhet ndjekur dhe përdorur mes të gjithë atyre që jetojnë me njëri-tjetrin dhe kanë marrëdhënie të ndërsjellta mes tyre. Sepse dobia fetare dhe materiale e kësaj është e madhe, dhe ai që vepron kështu zemra e tij do të rehatohet, dhe kështu do të përpiqet të arrijë zbatimin e detyrimeve të domosdoshme dhe të pëlqyeshme.
Sepse përsosmëria tek njerëzit është e vështirë të arrihet, dhe mjafton si vlerë për njeriun që të metat e tij janë të numërueshme (sa gishtat e dorës). Dhe përgatitja e vetes për atë që mund t’i vijë prej bashkëshortit (apo prej njerëzve me të cilët është i rrethuar) prej sjelljeve jo të mira, kjo gjë ia bën më të lehtë njeriut sjelljen e mirë (dhe durimin), dhe bamirësinë ndaj njerëzve. Dhe Allahu është Ai që jep sukses.
Behxhetu Kulubil Ebrar, Abdurrahman Es Seadi (Allahu e mëshiroftë)
Përktheu Emin Bilali
[1] Muslimi (1469)