Buxheti i ndarë për përfituesit e statusit të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë është i pamjaftueshëm për të gjithë ata që kanë aplikuar, thonë në Qeverinë e Kosovës.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se buxheti i ndarë për këtë kategori është 25 milionë euro. Kjo shumë, sipas ndarjeve buxhetore, është planifikuar për një numër prej mbi 12 mijë veteranëve të luftës.
Por, në muajin maj, qeveria ka ndarë për këtë kategori 170 euro pensione, për 23 mijë persona.
Ndërkohë që llogaritet se janë mbi 42 mijë veta që kanë kërkuar statusin e veteranëve të luftës së fundit në Kosovë.
Ministri Hoti thotë se duhet kërkuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhje eventuale. Për këtë çështje, pritet që gjatë kësaj javë, në Prishtinë të qëndrojnë edhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilët do të diskutojnë problematikën me Qeverinë e Kosovës. Gjatë kësaj kohe pritet të bëhet edhe rishikimi i buxhetit.
“Planifikimi ka qenë për 12 mijë veteranë të luftës, me një shumë prej 25 milionë euro. Por, ne në muajin maj, kemi paguar afër 23 mijë veta. Prej tyre, 23 mijë veta që janë paguar në muajin maj, janë edhe 2 mijë ose 3 mijë të tjerë që kanë aplikuar dhe mund të përfshihen në muajin qershor dhe në muajt në vijim.
“Lista që është dorëzuar në qeveri nga komisioni, përfshinë 46 mijë veteranë. Pra, është e dukshme që buxheti që kemi ndarë për sivjet nuk plotëson as për së afërmi të gjitha kërkesat që kemi për të paguar pensionet për veteranët”, ka thënë Hoti.
Në bazë të ligjit, veteran luftëtarëi UÇK –së, është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK- së, dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së, dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.
Sipas ligjit, këtë benificion, veterani nuk mund ta marr nëse është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës, apo është i punësuar në sektorin publik dhe privat në vend.
Aktualisht, rreth 23 mijë është numri i atyre që marrin pension nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi është konstatuar se nuk punojnë askund, thotë zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Rita Hajzeraj.
“Në Komisionin qeveritar çdo ditë vijnë lista për veteranët e luftës, por deri më tani janë 23 mijë persona që nuk punojnë askund e që marrin pension rreth 170 euro në muaj nga MPMS“, ka thënë Hajzeraj.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se numri i veteranëve të luftës është 46, 230. Por, siç thotë ai, jo të gjithë përfitojnë beneficione nga shteti.
Ai ka thënë se vetëm personat që kanë gëzuar statusin e veteranit dhe nuk punojnë, marrin pension nga buxheti.
“Këtu është një keqkuptim, sepse ky është numri total i veteranëve, por sipas ligjit vetëm ata që dëshmojnë me dokumente që kërkohen në bazë të udhëzimit administrative të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që janë të papunë, kanë gjendje të rëndë sociale, përfitojnë. Këtu nuk bëhet fjalë për 46 mijë veteranë që do të marrin pensione nga shteti”, ka thënë Çeku.
Përveç pensionit, veteranët e luftës dhe familjet e tyre, kanë edhe një mori benificionesh tjera, duke filluar nga shërbimet mjekësore brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat i realizojnë pa kompensim material, përparësi në punësim në organet e administratës publike dhe ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, lehtësime tatimore, doganore e të tjera.
Numri i madh i veteranëve të luftës ka qenë temë debati për një kohë të gjatë.
Dyshimet janë se ky numër është i fryer, ngaqë llogaritet të jetë shumë më i vogël.
Andaj, në vazhdimësi është tërhequr edhe vërejtja se kishte keqpërdorime me listat e veteranëve të luftës, ku besohet se janë përfshirë edhe persona të cilët nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.