Rreth 300 mijë euro janë investuar për ndërtimin e një shkolle në Papaz të Ferizajt, por duket se mjetet e harxhuara kanë shkuar kot. Edhe pas katër vjet prej kur është ndërtuar shkolla nuk ka filluar punën, arsyeja është e thjeshtë: në këtë fshat nuk ka nxënës të mjaftueshëm që do të mbushnin klasat e shkollës.
Investitorët nuk e kanë verifikuar nevojën për shkollë, por kanë krijuar një objekt gjigant për të cilin tash nuk ka nxënës.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa ka konfirmuar për emisionin Zyra e Ankesave të RTV Dukagjinit këtë investim. Ai ka thënë se për shkak të deformimit të objektit të ndërtuar së fundmi janë detyruar që t`i investojnë edhe 50 mijë euro mirëmbajte.
Sipas Sfarqës, komuna po bënë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një mënyrë të mbledhjes së nxënësve nga disa fshatra në mënyrë që kjo në Papaz të jetë e përdorshme. Sipas kryetarit të Ferizajt, investim ngjashëm i paplanifikuar është bërë edhe në shkollën e fshatit Lloshkobare. /Telegrafi/