Skandal | Ipeshkvia e përzier në ndërmjetësimin e fajdes 200 mijë euro

Ipeshkvia e Kosovës përmes një përgjigje dërguar gazetës Koha Ditore ka arsyetuar ndërmjetësimin e takimit të Salih Mekaj, Asdren Mekaj dhe familjes Gruda nga Prizreni, për një fajde në vlerë prej 200 mijë eurosh, që Prokuroria pretendon se Mekaj ia kërkuar Palë Grudës nga Prizreni.
Përmes një përgjigje dërguar gazetës “Koha Ditore”, Ipeshkvia e Kosovës ka thënë se ndërmjetësimi për pajtim të klerit dhe Kishës Katolike është i pandërpreshëm në raste konfliktesh mes njerëzve. Por ka mohuar përfshirjen e klerikëve në një rast fajdeje apo përfitimin prej saj, ndonëse nuk është pyetur për një përfitim të mundshëm.
“Pa marrë parasysh arsyen e konfliktit, apo statusin shoqëror të njerëzve, në mënyrë të veçantë jemi të angazhuar të ndërmjetësojmë në ato raste konfliktesh kur janë të përfshira familjet e besimeve të ndryshme, me qëllim që ato konflikte të mos ndikojnë në prishjen e harmonisë mes komuniteteve”, thuhet në përgjigjen dërguar gazetës nga sekretari, Fatmir Koliqi.
“Ky ndërmjetësim pajtimi apo dialogu mes palëve nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe asnjëherë përfshirjen tonë në materien e konfliktit, por angazhimi ynë është në aspektin njerëzor për pajtim mes palëve që mos të shkaktohet një e keqe më e madhe. Në raste të veçanta këto ndërmjetësime për paqe dhe pajtim mes njerëzve kanë natyrë delikate dhe janë shumë të vështira, por megjithatë nuk do të pushojmë asnjëherë që ta japim kontributin tonë për çdo rast konflikti kur palët na e kërkojnë”, ka thënën ai për Koha Ditore.
“Çdo tentativë për t’i dhënë kahe tjetër këtyre ndërmjetësimeve, është në kundërshtim me të vërtetën e angazhimit tonë”, thuhet në përgjigjen e Ipeshkvisë krejtësisht në fund.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, i është kundërpërgjigjur dyshimeve që kishte ngritur Gjykata e Apelit, për atë se nuk ka prova bindëse për paraburgimin e Salih Mekaj, duke treguar se po heton kryetarin e Gjykatës së Apelit edhe për një vepër tjetër penale.
Ndërmjetësimi në një rast fajdeje, janë pretendimet e reja të Prokurorisë, mbi bazë e të cilave Hajdari ka kërkuar sërish paraburgimin e Salih Mekajt, gjatë seancës për rivendosjen e masës së sigurisë ndaj tij, që u mbajt të martën.
Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për dyshime se Mekaj ka ndërmjetësuar për një shumë 200 mijë eurosh, të cilën pretendohet se kushëriri i tij, Asdren Mekaj, ia ka kërkuar Palë Grudës, pronarit të një argjendarie në Prizren.
Takimi mes këtyre palëve mësohet të ketë ndodhur më 11 prill të këtij viti në katedralen “Nëna Terezë”, në Prishtinë.
“Pal Gruda dhe Asdreni ishin njohur në Shqipëri dhe ata kanë bashkëpunuar në një biznes për shitblerjen e veturave të shtrenjta dhe Asdreni ia paska dhënë hua me fajde 200 mijë euro, për të cilat para Salih Mekaj ka ndihmuar që t’i kthehen Asdrenit nga Gruda”, ka bërë të ditur një burim i gazetës.
“Ndërkaq Asdreni po hetohet për fajde dhe detyrim me disa persona të tjerë, të cilët ishin arrestuar më 28 maj të këtij viti në Prizren” , ka thënë i njëjti.
Gazeta ka mësuar se Asdren Mekaj është një ndër personat që po hetohet në rastin e arrestimit të shtatë personave nën dyshimet për organizimin e fajdeve, detyrimit dhe kanosjeve, konkretisht grupit të Marjan Kqira, Kastriot Kqira, Gjon Kqira, Gjekson, Tunë Kqira, Besfort Omaj dhe Benson Buza.
Këtij grupi Policia përmes një komunikatë për media më 28 prill të këtij viti, kishte treguar se i ka sekuestruar para të gatshme mbi 303 mijë euro, 700 gramë ari, gjashtë armë kalibrash të ndryshme, 224 fishekë, 7 vetura, jelekë antiplumb, radio lidhje, 13 telefona celularë dhe disa mjete kompjuterike.
Mbrojtësi i Mekajt, avokati Destan Rukiqi, ka konfirmuar për gazetën se prokuroja në kërkesën e saj për paraburgimin e Mekajt për veprën e re penale, pretendon se Mekaj ka ndërmjetësuar në rastin e djalit të djalit të axhës së tij – Asdrenit.
Mirëpo sipas tij, Mekaj gjatë seancës ia ka shpjeguar edhe gjykatëses Alltene Murseli, e cila ka marrë përsipër procedurën ndaj tij, se vetëm ka ndihmuar familjarin e tij për një kthim borxhi.
“Sipas asaj që u prezantua nga z. Mekaj, ai (Asdreni) as nuk ka dhënë fajde, as nuk ka qitur fajde, por Pal Gruda ia ka pasur borxh Asdrenit, ato para për disa automjete, që ia kishte shitur e nuk i kishte paguar paratë. Sepse ata në Kosovë bënin së bashku (me Grudën) një biznes shitblerje automjetesh”, ka thënë Rukiqi. /koha/
 
Artikulli paraprakRealizmi socialist si prodhues i përfytyrimeve esktreme antifetare në letërsinë shqipe
Artikulli vijuesArabia Saudite u dhuron 180 ton ndihma, shqiptarëve në nevojë