Shpend Ahmeti prezanton ekipin e tij qeverisës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka prezantuar sot ekipin qeverisës për Prishtinën. Ajo që bie në sy është se në mesin e drejtorëve ka edhe Ushtrues Detyre, ndërkohë që të përfshirë në dikasteret kryesore janë edhe tri femra.
Nënkryetar i Komunës së Prishtinës do të jetë Dardan Sejdiu, njëkohësisht edhe U.D i drejtorit për Zhvillim Ekonomik. Liburn Aliu do të udhëheqë Drejtorinë e Urbanizmit, Arben Vitia është emëruar drejtor i Shëndetësisë, Blerta Zeqiri drejtoreshë e Kulturës, Xhelal Sfeqla drejtor i Inspektoratit, Ardian Gashi drejtor i Shërbimeve Publike, Nora Kelmendi drejtoreshë e Kadastrit, Jusuf Thaçi drejtor i Arsimit, Besnik Bislimi U.D i drejtorit të Financave, Muhedin Nushi U.D i drejtorit të Administratës, Hysen Durmishi U.D i drejtorit për Infrastrukturë dhe Fitore Pacolli-Dalipi koordinatore e punës mes drejtorive në kabinetin e kryetarit.

Sipas Ahmetit, shkaku që i ka caktuar tri drejtori me ushtrues detyre, drejtorinë e Administratës, të Infrastrukturës dhe për Zhvillim Ekonomik, ishte për shkak të gjendjes së rëndë në këto fusha dhe nevojave për t’u informuar ekipi i tyre.

“Për tri drejtori, për shkak të gjendjes pak më të rëndë dhe nevojave për një informim më të mirë të ekipit tonë, kemi vendosur që të formojmë ekipe menaxhuese të cilat do të kenë detyra që brenda një periudhe 30- 45 ditore do të na përgatisin raport mbi gjendjen e përgjithshme mbi këto drejtori, në mënyrë që ne të procedojmë me hapat e mëtutjeshëm jo vetëm me punën e drejtorit, por edhe nga aspekti i politikave të cilat duhet t’i ndjekim”, tha kryetari i ri i Prishtinës.

Ahmeti, ka thënë se shpërblimi për qytetarët është nëse ekipi i tij i zgjedhur do t’i përmbushë zotimet të cilat janë premtuar në fushatë.

“Unë vet gjithmonë kam thënë se pa ekip nuk mund t’i përmbushim gjitha ato premtime. Me të gjithë këta njerëz që po i shihni në tavolinë, kemi pas diskutime të gjata”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se programi i Lëvizjes Vetëvendosje për nivelin lokal, është në përputhje të plotë me atë nivelit qendror.

Ai gjithashtu sot ka zhvilluar takim me drejtorët aktualë që kanë bërë pranim-dorëzimin e detyrës.

Më poshtë janë biografitë e ekipit të Ahmetit, të dërguara nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

Dardan Sejdiu, nënkryetar dhe u.d. i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik

Ka lindur më 13 gusht 1979 dhe jeton në Prishtinë.

Dardan Sejdiu studioi Administrim Biznesi dhe Shkenca politike me Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Bullgari, ndërsa magjistraturën e kreu në Bled, Slloveni me drejtim në Administrim Biznesi, me theks në rritje strategjike të ndërmarrjeve. Mban titullin e Bursistit të Fondit Memorial Gjerman të SHBA-ve ku punoi drejt përforcimit të marrëdhënieve ndëratlantike përmes politikes, qeverisjes, biznesit dhe mediave.

Sjellë me vete një përvojë të madhe në sektorin privat me fokus në atë bankar, financiar dhe pensional. Dy vitet e fundit, Dardan Sjediu është i angazhuar si Drejtor Menaxhues i NEST Kosovo, ndërmarrje e cila i përket kompanisë SHM Productions Ltd. e vendosur në Londër, dhe në të njëjtën kohë është i angazhuar si ligjërues i Ndërmarrësisë në Universitetin AAB.

Ka qenë i angazhuar për katër vite si President i Bordit Menaxhues të Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve, me rol kyç në menaxhimin e këtij fondi për tërë Kosovën. Gjithashtu, shërbeu në ProCredit Bank në Kosovë me fokus në mbledhjen e depozitave dhe menaxhimin e tyre në pozitën e drejtorit të departamentit për katër vite.

Sejdiu ishte anëtar i kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për 2 vite, anëtar i komiteti për ekonomi në këtë Lëvizje si dhe shef i shtabit zgjedhor në fushatën e VETËVENDOSJE!-s në zgjedhjet lokale.

 

Liburn Aliu, Drejtor i Urbanizmit

Lindi më 10 prill të vitit 1975 në Prishtinë. Ka vijuar arsimin fillor në shkollën “Hasan Prishtina”, atë të mesëm në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtine dhe atë universitar në Universitetin e Prishtinës, ku ka diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Dega Arkitekturë.
Liburni ka punuar për vite të tëra si arkitekt në projektim dhe mbikëqyrje të realizimit të projekteve të shumta ndërtimore qoftë ato të ndërtimit të lartë e po ashtu në objekte të infrastrukturës.

Viteve të fundit është marrë më tepër me trashëgiminë kulturore arkitektonike, si pjesë e projekteve të ndryshme të restaurimimit të monumenteve të mbrojtura.

Nga janari i vitit 2011, ka bërë detyrën si deputet i zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!

Si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, si dhe anëtar i atij për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Liburni ka marrë pjesë aktive në trajtimin dhe amendamentimin e ligjeve të shumta që trajtoi Kuvendi gjatë këtij legjislacioni. Ndër to: Ligjin e Ndërtimit, Planifikimit Hapësinor, Trajtimit të ndërtimeve pa leje, Kadastrit etj,

Liburn Aliu është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

 

Xhelal Sveçla, Drejtor i Inspekcionit

U lind më 21 prill 1970 në Prishtinë. Është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Momentalisht ai ishte anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Si student i stomatologjisë, në shtator të vitit 1997, Xhelali u zgjodh në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si anëtar i komisionit për shëndetësi pranë kryesisë së këtij unioni.

Xhelali ka qenë i angazhuar në organizimin e protestave paqësore studentore kundër regjimit të Milosheviqit në vitin 1997 për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga ky regjimi.

Në vitin 1998, Xhelali iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas luftës, Xhelali vazhdoi punën humanitare, me theks të veçantë në fushën e mjekësisë dhe të drejtave të fëmijëve, duke punuar me vite të tëra në OJQ të ndryshme. Ai po ashtu i përfundoi studimet universitare të cilat i ndërpreu shkaku i luftës, dhe diplomoi në korrik të vitit 2002 në Fakultetin e Stomatologjisë pranë Universitetit të Tiranës.

Xhelali mbeti i përkushtuar në aktivizmi politik edhe pas luftës. Pas ringjalljes së Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN) në vitin 2003, që i bashkoi aktivistët e rinj të cilët kërkonin ndryshime shoqërore dhe qytetari aktive, Xhelali u bë pjesë e tyre. Ai po ashtu u bë edhe pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2005, ku së bashku me aktivistë të tjerë nga rrjeti KAN, shkruan për herë të parë parullën “JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE!” (No negotiations, Self-Determination!) në murin që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut në Prishtinë, që në këtë mënyrë solli transformimin e KAN-it në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

 

Blerta Zeqiri, Drejtoreshë Kulturë Rini dhe Sport

E lindur në vitin 1979, është skenariste dhe regjisore kosovare, fituese e çmimeve të shumta ndërkombëtare. Nga viti 2012 është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.

Studimet universitare dhe pasuniversitare në Kinematografi i kreu në Universitetin Paris 8, Francë.

Blerta realizoi një numër filmash të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, me të cilët mori pjesë në shumë festivale ndërkombëtare si Sundance Film Festival, Oberhausen International Short Film Festival, Telluride film festival duke u shpërblyer në shumë prej tyre.

Jeton dhe punon në Prishtinë. Blerta është e martuar, nënë e dy fëmijëve.

 

Jusuf Thaqi, drejtor i Arsimit

Ka lindur më 05 maj 1982 në Llapushnik të Drenasit. Ka përfunduar studimet në psikologji në Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës (2003-2006). Tani është duke vazhduar studimet e nivelit master në po të njëjtin departament.

Që prej përfundimit të studimeve merret ekskluzivisht me çështjet e arsimit në Kosovë. Fillimisht ka punuar si monitorues dhe analist i çështjeve të arsimit në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Pastaj ka punuar në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC) si koordinator i komponentit të arsimit të një projekti të BE-së për edukimin e komuniteteve RAE (EU-SIMRAES). Që prej vitit 2011 është iniciator dhe menaxher i Projektit ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë. Ka edhe përvojë si mësimdhënës në shkollat publike.

Jusuf Thaçi shquhet për kompetencën e tij të lartë në fushën e arsimit, në hulumtimeve dhe në Psikologjinë e Ekselencës. Ai është autor dhe bashkautor i shumë hulumtimeve dhe publikimeve, kryesisht në fushën e arsimit. Ka marrë pjesë në takime, tryeza, konferenca e vizita të ndryshme studimore në Boston, Bruksel, Stamboll, Tiranë e Prishtinë, kryesisht në lidhje me çështjet e arsimit, psikologjisë dhe shoqërisë civile.

 

Nora Kelmendi, drejtoreshë e Kadastrit

Ka lindur në Pejë më 3 tetor 1971 dhe është rritur në Prishtinë ku ka kryer shkollën fillore, të mesme dhe shkollimin e larte universitar pranë Fakultetit Ekonomik. Magjistraturën, e ka vazhduar në Maqedoni në Universitetin e Evropës Juglindore – drejtimi menaxhment.

Në vitin 1999, para fillimit të luftës në Kosovë filloi të punojë si zyrtare e distribuimit në një organizatë ndërkombëtare “Care International” Australia. Gjatë luftës punoi në po të njëjtën organizatë në kampin e Çegranit në Maqedoni. Pas kthimit në Kosovë me “Care International” vazhdoi punën si udhëheqëse e në distribuim të ushqimit (ndihmave humanitare) për rajonin e Lypjanit dhe Ferizajit.

Nga viti 2000-2002 ka punuar si konsulente e biznesit në “Chemonics International” projekt i financuar nga USAID dhe ishte një ndër femrat e para konsulente të biznesit në Kosovë. Pas kësaj, karrierën e vazhdoi në institucion financiar “Interim Credit Unit” (ICU), projekt i financuar nga Banka Botërore dhe Unioni Evropian, ku punoi si zyrtare e lartë për dhënien e kredive të mëdha.

Në vitin 2003 fillon punën në Agjencionin Kosovar të Mirëbesmit – AKM, si zyrtare e privatizimit e me pas si udhëheqëse e njësisë për relacione me investitor. Puna e saj vazhdoi edhe për katër vite të tjera me pasaradhësen e AKM-së, Agjencionin Kosovar të Privatizimit – AKP. Në AKP, si drejtore e Departamanetit të Shitjes, detyrë kryesore kishte udhëheqjen dhe menaxhimin e përgjithshëm të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Në vitin 2011 Nora filloi të punojë në një kompani private “Management Development Associates” (MDA), kompani kosovare e konsulencës, si udhëheqëse e Divizionit për zhvillim të bizneseve e më vonë udhëheqi edhe Fondacionin MDA. Në MDA dhe Fondacion ajo fitoi eksperiencën e cila i mungonte – udhëheqja dhe menaxhimi në kompani vendore private.

 

Arben Vitia, drejtor i Shëndetësisë

Është i lindur më 24.12.1973, në Prishtinë. Shkollimin fillor e përfundoi në shkollën fillore “Shkëndia” në Hajvali, ndërsa shkollimin e mesëm në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Diplomoi në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, pranë Universitetit të Tiranës. Ka punuar si këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe po në këtë pozicion ka punuar edhe në kompaninë “Keis”

Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku angazhohet në Komitetin për Shëndetësi.

 

Besnik Bislimi, u.d. drejtor i Financave

Ka lindur më 19.05.1971. Ka studiuar analiza Makroekonomike në fakultetin e Administrimit të Biznesit ne Universitetin e Zagrebit ne Kroaci, prej vitit 1990 deri në vitin 1994. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në Makroekonomi, me përqendrim të veçantë në Financa Publike në Universitetin e Freibergut, në shkurt 2005. Përveç kësaj, gjatë vitit 2008, Besnik Bislimi ka qëndruar për katër muaj si studiues i Fulbrightit në Andrew Young School për Studime Politike, në Georgia State University në Atlanta.

Ai u bë anëtar i fakultetit të Universiteti Amerikan në Kosovë në nëntor 2004. Që atëherë ai ka ligjëruar disa lëndë të fushës së ekonomisë, duke përfshirë mikroekonominë, makroekonominë, financat publike, analiza dhe politika monetare dhe ekonomi të burimeve natyrore. Përveç karrierës së tij si ligjërues, Besnik Bislimi ka punuar po ashtu si asistent ligjërues për makroekonomi dhe financa publike në Universitetin e Freibergut në Gjermani; si këshilltar i UNDP-së në Ministrinë e Financave në Kosovë, si ekspert ndërkombëtar për financa publike në UNMIK, këshilltar për politika fiskale në GTZ, ligjërues i makroekonomisë 1 dhe 2 në akademinë e ProCredi-it në Veles në Maqedoni, ligjërues i makroekonomisë dhe financave publike në Universitetin e Prishtinës.

Besnik Bislimi ka qenë gjithashtu i përfshirë si menaxher i projekteve, këshilltar dhe hulumtues i lartë për projekte të ndryshme që mbulojnë politikat shëndetësore, Business Climate Scan, strategji kombëtare të zhvillimit, zhvillime rurale, ndërtimi i kapaciteteve për arsimin e lartë në Kosovë në bashkëpunim me shumë partnerë ndërkombëtar duke përfshirë Stability Pact, DAAD, WUS Austria; HLSP; GTZ.

Fushat e tij të interesit përfshijnë politikat fiskale, decentralizimi fiskal, makroekonomia, politika monetare, privatizimi, antikorrupsioni, politikat e borxhit publik,tregjet e punës dhe ekonomia e burimeve.

 

Muhedin Nushi, u.d. drejtor i Administratës

Ka lindur në Gjakovë më 28.08.1959. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Fillimisht ka punuar në Institutin për Hulumtime Shkencore dhe Zhvillim (INKOS) në Obiliq, nga viti 1985 deri në 1990. Prej vitit 1992 deri në vitin 2000 ka punuar në Bankën Ekonomike me seli në Gjakovë, dhe pastaj edhe në Prishtinë. Më 2000-2006 ka qenë i kyçur në projekte të ndryshme me institucione të huaja si me World Bank, në Projektin e implementuar nga FAO (Food and agriculture organizations of United Nations), projekte të BE-së, në Ministrinë e Bujqesisë dhe Entit të Statistikave të Kosovës, si dhe në disa Projekte pranë UNDP, HELVETAS, USAID etj.

Nga viti 2006 deri ne vitin 2013 ka udhëhequr Departamentin e Teknologjisë Informative në Bankën Ekonomike.

Detyrat e Nushit në këto institucione ishin të ndërlidhura me sektorin e teknologjisë informative, me analizën e biznesit, përpunime statistikore, menaxhimit e të dhënave, udhëheqjet e projekteve (ide projektuese, zhvillim, implementim, monitorim dhe evaluim).

Ardian Gashi, u.d. Drejtor i Shërbimeve Publike

Është i lindur më 16 mars 1975 në Prishtinë. Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” dhe Gjimnazin “Xhevdet Doda” i ka përfunduar ne Prishtinë, ndërsa studimet i ka ndjekur në Fakultetin e Biznesit ne Pejë (tani “Haxhi Zeka”). Pas luftës në Kosovë u punësua në UNMIK si Administrator në Komunikime dhe Ndërlidhje, ndërsa që nga po i njëjti vit ju bashkëngjit grupit të bankierëve nga IPC GmbH – Frankfurt, për themelimin e bankës së parë komerciale në Kosovë (MEB Bank), prandaj edhe gëzon statusin e themeluesit në këtë institucion. Nga viti 2001 ka mbajtur pozita të ndryshme menaxheriale duke filluar nga Drejtor i Degës në Pejë. Nga viti 2004 i kërkohet që të udhëheq Departmentin e Riskut Bankar në ProCredit Bank (ish MEB banka), përfshirë edhe atë operacional në pozitën e Drejtor i Departmentit të Riskut.

Nga viti 2006 kalon në udhëheqjen e divizionit të shërbimeve të brendshme si drejtor i divizionit (2007 e tutje departament). Në përmbajtjen e këtij divizioni ishin për tu menaxhuar: administrata, departamenti ligjor, departamenti i teknologjisë informative dhe sigurimi.

Ka qenë pjesë e shumë komiteteve në bankë (komiteti i riskut operacional, komiteti i përkrahjes së degëve, komitetit të ambientit (EKO etj.), si dhe në komitete ndërbankare të organizuar nga Shoqata e bankave të Kosovës. Gjatë punës ka qenë pikë ndërlidhjeje në mes të bankës me autoritetet shtetërore të Kosovës. Në vitin 2008 vijon akademinë bankare 3 vjeçare të ProCredit në Furth të Gjermanisë, si dhe në të njëjtën kohë fillon studimet master në UBT-IEME Prishtinë, drejtimi Financa.

Në vitin 2012 themelon kompaninë private AGGA shpk, Prishtinë, e orientuar në shërbime përmes internetit dhe telekomunikime, në po të njëjtin vit themelon edhe kompaninë AGR FinanceCare sarl në Zvicër, si broker i 82 institucioneve të sigurimit në Zvicër. Ai e len bankën më 30.09.2013 (pozita: drejtor i departamentit të shërbimeve të brendshme) për tu përkushtuar në menaxhimin e kompanive private të tij të krijuara rishtazi.

Hysen Durmishi, u.d. drejtor i Infrastrukturës

Ka lindur më 03.04.1972 në fshatin Mushtisht të Therandës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë viteve 2001-2003 ka punuar në kompaninë amerikane PARSONS, si menaxher i terrenit në projektet infrastrukturore të USAID-it në Kosovë. Në 2003-2004 ka punuar po ashtu si menaxher i ndërtimit të objekteve në kompaninë MORINA në Prizren, ndërsa gjatë viteve 2009-2010 ka qenë menaxher i ndërtimit në N.N.P “SOPI”-Prizren.

Hysen Durmishi qysh në prill të vitit 1989 përjashtohet nga shkolla e mesme për shkak të organizimit të demonstratave kundër ndryshimeve kushtetuese të marsit 1989. Në vitet 1997-1998 bëhet kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Në vitin 1998 ka qenë ushtar i UÇK-së në brigadën 123. 1998-2000 i burgosur politik në burgjet e Serbisë. Gjatë viteve 2003-2005 aktivist i KAN-it, ndërsa nga 2005 e gjer më sot është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ai është i mendimit se vendi ynë ka resurse të mjaftueshme, por vetëm duhet të menaxhohen drejt dhe të qeveriset në të mirë të qytetarëve. Hyseni është i bindjes se njerëzit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kandidatët e saj kanë guximin por edhe vullnetin që të jenë në shërbim të qytetarit. /Telegrafi/

Artikulli paraprakGjermanët ende këmbejnë marka me euro, në qarkullim vazhdojnë 13 miliardë marka gjermane
Artikulli vijuesSHBA, poligam që jeton me 5 gra dhe 24 fëmijë