Tri ditë nga nisja e muajit të shenjtë të Ramazanit , ka reaguar Myftinia e qytetit të Durrësit, për panairin që po zhvillohet në qendër të qytetit, në derë të Myftinisë e të xhamisë.
Myftiu i Durrësit Redi Quku, deklaroi se të gjithë besimtarët janë duke agjëruar në kushte ekstreme të motit gjatë këtij viti. Këtë vit Ramazani sipas kalendarit Hënor, mbahet në ditët më të gjata e të nxehta të vitit. Besimtarët po agjërojnë në kushte të vështira. Paralelisht me xhaminë e madhe dhe Myftininë, po riorganizohet panairi me pije alkoolike e qofte. Kjo është mungesë respekti për besimtarët myslimanë nga ana e administratorëve të qytetit që nuk respektojnë besimtarët. Shumë gjëra absurde po ndodhin, dhe kjo është një prej tyre”.
Quku kujton edhe respektin e ndërsjellë dhe harmoninë që ka mbizotëruar midis besimtarëve të Durrësit, që me kalimin e kohës është bjerrë.
“Kjo tregon bjerrje e humbje të asaj tradite të bukur që ka karakterizuar qytetarët e besimtarët e feve në Durrës. Respekti ndaj të gjithë myslimanëve nga ana e ortodoksëve e katolikëve ka qenë i madh në kohën e agjërimit, për të gjithë ata që agjëronin. Komshiu kurrë nuk pinte një cigare para komshiut që agjëronte, nuk lejonte që të ushqehej a të pinte ujë para komshiut. Më herët dhe në gjellëtoret e qytetit vendoseshin perde të trasha në kohën kur nga myslimanët agjërohej, me qëllim që të mos dukeshin njerëzit në vaktet e ditës. Na vjen keq që këto vlera të bukura janë bjerrë.”