Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), nëpërmjet një reagimi publik lidhur me skandalin e “mishit belg” ka thënë se ka ekspozuar shumë qartë rrezikun e vazhdueshëm nga prodhimet që shiten në Kosovë, por për shkak të preokupimeve me temat e “rëndësishme” politike, ende nuk po e merr vëmendjen e duhur institucionale dhe kërkon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament.
“Oda Ekonomike e Kosovës, apelon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament, si dhe përmes dialogut publiko-privat. Shoqëria kosovare viteve të fundit është mbizotëruar nga temat politike të cilat janë për konsum ditor të politikanëve dhe nuk kanë sjell asnjë dobi në mirëqenien e përgjithshme në vend. Është koha e fundit që vendimmarrësit të angazhohen për mirëqenien e qytetarëve, duke aprovuar ligje dhe zbatuar politika që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thotë OEK në një njoftim
Po ashtu, Oda Ekonomike thotë se Kosova që nga paslufta ka pasur tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg dhe së këto çështje janë adresuar vetëm në mënyrë sporadike.
“Shumica e vendeve të BE-së, por edhe BE si treg unik, ndër prioritet kryesor të politikave të tyre e kanë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konkurrencës të lirë në treg dhe këtë e trajtojnë edhe si pjesë të sigurisë së tyre nacionale. Në Kosovë 19 vite të pasluftës kanë dëshmuar që hapja e tregut për shumë institucione dhe biznese, nënkupton edhe tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg. Këto çështje janë adresuar vetëm në mënyrë sporadike, pra vetëm kur janë zbuluar në raste të caktuara, por asnjëherë nuk ka ekzistuar një veprim i koordinuar që garanton që ajo që e konsumojmë është e sigurt dhe për të gjithë pjesëmarrësit në treg ‘rregullat e lojës’ janë të njëjta”, thotë tutje OEK.
Në fund, OEK e mirëpret bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset në zbatimin e të gjitha veprimeve (të lartcekura) dhe në të njëjtën kohë zotohet për një angazhim të vazhdueshëm në promovimin e vlerave të sektorit privat dhe luftimin e praktikave jo-etike dhe të paligjshme të të bërit biznes.