Skandali në Argjentinë

0
194

Hetuesit e vdekjes së prokurorit kryesor që ndiqte shpërthimin në një qendër hebraike 20 vjet më parë, i cili pati deklaruar se kishte zbuluar manipulime të mëdha, gjetën në koshin e mbeturinave në shtëpinë e tij, një kërkesë për arrestimin e  presidentes së vendit, Cristina Fernandez.  

 

Trupi i prokurorit argjentinas Alberto Nisman u gjet në apartamentin e tij më 18 janar, vetëm disa orë para se ai të dëshmonte në parlamentin e Argjentinës në lidhje me autorët e shpërthimit të vitit 1994.

 

Viviana Fein, kryehetuesja për vdekjen e prokurorit Nisman, u tha fillimisht gazetarëve se nuk ishte gjetur ndonjë mandat arresti, dhe më vonë u shpreh se komentet e saj ishin keqinterpretuar.

 

“Nëse jam shprehur gabimisht, atëherë po e korrigjoj atë që thashë. Evidenca është aty… Dokumentet janë të mbrojtura. Ato nuk e ndryshojnë drejtimin e hetimit. Nuk janë aq të rëndësishme.”

 

Zoti Nisman pretendonte se qeveria e presidentes Fernandez ndihmoi në orkestrimin e një marrëveshjeje me Iranin në këmbim të naftës iraniane për Argjentinën që ndodhej në vështirësi buxhetore. Irani do të përfitonte grurë dhe mish nga Argjentina. Dhe shpërthimi do të mbetej i pasqaruar.

 

Shumë në Argjentinë thonë se prokurori Nisman do të mbahet mend si një njeri i madh.

 

“Kemi ardhur t’i themi lamtumirë zotit Nisman, të cilin e kemi si një hero kombëtar, pasi ishte i vetmi që pati guximin të denoncojë presidenten aktuale të Argjentinës, e cila është njeriu më i korruptuar në këtë vend”, thotë një qytetare.

 

Nisman punoi për rreth një dekadë për të gjetur prova se Irani ishte pas shpërthimit në Shoqatën Argjentinë-Izrael./zeriamerikes