Skender Çoçaj zgjidhet kryesuesi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Me 6 vota pro, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka zgjedhur gjykatësin Skender Çoçaj për kryesues të ri të saj.

Në garë për kryesues të KGJK-së ishte edhe kryesuesi i deritanishëm, Nehat Idrizi, i cili nga anëtarët e KGJK-së arriti të marrë vetëm 5 vota, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mandati i Çoçajt si kryesues i këtij Këshilli do të jetë deri në qershor 2021, kur edhe i përfundon mandati si anëtar i Këshillit.

Në paraqitjen e vizionit dhe strategjisë për KGJK-në para anëtarëve të këtij Këshilli, Çoçaj ka thënë se është jetike pavarësia e gjykatave, duke thënë se do të angazhohet në ngritjen e transparencës në nivel më të lartë, me qëllim të promovimit të punës së tyre.

Tutje, Çoçaj deklaroi se do të angazhohet për të zvogëluar numrin e lëndëve në gjykata, duke i dhënë prioritet lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Objektivë tjetër Çoçaj tha se është bashkëpunimi ndërinstitucional vendor dhe ndërkombëtar, si dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile.

Që nga 8 marsi 2016, KGJK kryesohet nga Nehat Idrizi, i cili atëkohë kishte pasuar Enver Pecin, tash kryetar i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Skender Çoçaj ishte zgjedhur si anëtar i KGJK-së nga gjyqësori në qershor të vitit 2016. /Betimipërdrejtësi

 

Artikulli paraprakNjë lajm i mirë për ata që kërkojnë punë
Artikulli vijuesMaliqi: Taksa hiqet javën e ardhshme