Maliqi: Taksa hiqet javën e ardhshme

Kalkulimet e kryeministrit Haradinaj me taksën janë me gjasë për interesa personale, edhe pse nga pozita që ka, mund të pretendojë se po e mbron interesin e Kosovës.

Sidoqoftë, më së voni javën tjetër pritet të zgjidhet çështja e taksës, sipas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së dhe BE-së, ka thënë analisti i cili ishte ndër të parët që ka propozuar pezullimin e taksës si masë të përkohshme që të mos pengohet dialogu.
Njohësi i çështjeve politike, Shkelzen Maliqi, ka thënë se nëse në spektrin politik Haradinaj nuk e ka shumicën që e përkrah taksën, atëherë ai nuk mund të pretendojë se pikëpamja e tij është ajo e mbrojtjes së interesit të Kosovës.

‘Kalkulimet e Haradinajt janë me gjasa personale, edhe pse nga pozita që e ka mund të pretendojë se po e mbron interesin e Kosovës. Por, për këtë ai duhet ta ketë edhe përkrahjen e subjekteve të tjera politike, qoftë në Qeverinë që e udhëheq, qoftë edhe me votat mbështetëse nga opozita. Ky është rregull në demokraci që rrëzon dhe ngrit qeveritë”, ka thënë Maliqi.

Duke vepruar kështu, Maliqi thotë se kreu i ekzekutivit nuk po bëhet i padëgjueshëm vetëm ndaj SHBA-së, por edhe liderëve të tjerë të Kosovës që kanë propozuar pezullimin e përkohshëm të taksës.

‘Unë besoj se ata janë shumicë dhe do ta mbivotojnë ose shkarkojnë Haradinajn nga posti i Kryeministrit’, ka thënë tutje Maliqi.

Lidhur me sanksionet e mëtutjeshme që SHBA i ka paralajmëruar ndaj Kosovës, Maliqi ka thënë se ato të deritanishmet kanë qenë simbolike dhe kanë prekur vetëm Haradinajn.

Por nëse kryeministri mbetet këmbëngulës, sipas analistit të çështjeve politike, mund të priten edhe sanksione tjera që nuk e godasin vetëm atë, por mund të dëmtojnë mbështetjen e pa rezervë që e ka pasur Kosova nga SHBA’të që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar.

‘Haradinajt nuk iu dha viza për vizitë në SHBA. Më pastaj u anulua vizita e një gjenerali të ushtrisë amerikane dhe u tha se do të ndërpritet bashkëpunimi me FSK-në, si ushtri e sapoformuar e Kosovës, duke e përfshirë këtu edhe furnizimin me armatim, trajnime etj.

Nëse Kryeministri mbetet këmbëngulës, mund të priten edhe sanksione tjera që nuk e godasin vetëm Haradinajn por mund të dëmtojnë mbështetjen e parezervë që e ka pasur Kosova nga SHBA-të që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, e sidomos rolin kyç dhe të pazëvendësueshëm në stimulimin dhe përkrahjen e pavarësisë’, ka thënë ai.

Megjithatë, Maliqi pret që këto ditë, më së voni javën tjetër, të zgjidhet çështja e taksës sipas kërkesave të vazhdueshme të SHBA dhe BE.

Ai propozon që taksa të pezullohet vetëm për Serbinë e jo edhe për Bosnjë-Hercegovinën.

Kjo pasi sipas tij, sjellja e Sarajevës në tregtinë me Kosovën është më e ashpër se e Serbisë.

‘Unë kam pas një propozim besoj më interesant edhe për këmbëngulësinë e Haradinajt, që pezullimi i taksës të vlejë vetëm për Serbinë, ndërkaq jo edhe për Bosnjën-Hercegovinën, sepse me Sarajevën nuk po zhvillojmë dialog dhe sjellja e saj në tregtinë me Kosovën është më e ashpër se e Serbisë. Me Sarajevën do të mund të fillonin bisedimet për reciprocitet, dhe jo heqja e taksës prej 100 %.

Mendoj se edhe Kryeministrit Haradinaj do t’i ndihmonte ky lloj i mbrojtjes së taksës, që do t’i kënaqte edhe ndërkombëtarët të brengosur për suksesin e dialogut,’ ka thënë Maliqi.

I pyetur se nëse bie Haradinaj, a do të ketë zgjedhje të parakohshme, njohësi i çështjeve politike, thotë se kjo nuk do të ndodh derisa ka edhe disa argument.

‘Jo, kuvendi ekzistues është ende në mandatin e tij dhe duhet të provohet fillimisht krijimi i një koalicioni tjetër të partive, mundësisht edhe më stabil se ky me Haradinajn në krye që fillimisht mbahej në pushtet falë votave të Listës serbe, dhe tani me votat e PSD. Vetëm nëse mandatari i ri nuk do të ketë sukses në sigurimin e shumicës së votave (61 +), atëherë do duhej të shpërbëhej Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja’, ka shtuari ai.

Nga ana tjetër, sipas Maliqit, zgjedhjet nuk janë opsion sepse edhe ato do të pengonin vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë për Metron ai.

Kujtojmë se, dy ditë më parë është publikuar një letër që e kanë pranuar tre liderët e vendit, Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, e dërguar nga Washingtoni zyrtar, me kërkesë të drejtpërdrejt që institucionet e Kosovës të heqin taksën 100%.

Pas letrës në fjalë, krerët e shtetit janë mbledhur dy herë, por pa rezultate.

 

Artikulli paraprakSkender Çoçaj zgjidhet kryesuesi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Artikulli vijuesDeputeti qëllon Edi Ramën me ngjyrë në fytyrë