Dyqane të mbyllura dhe rrugë gati të boshatisura me kalimtarë të cilët nxitojnë në shtëpi për të përgatitur iftarin e Ramazanit, është pamja e regjistruar në Çarshinë e Vjetër të Shkupit një orë para perëndimit të diellit.
Restorantet që gjenden në Çarshi kanë shtruar tavolinat për të mirëpritur agjëruesit secili me oferta dhe çmime të ndryshme të menuve nga më të lirat deri më të shtrenjtat, në varësi prej fuqisë ekonomike të konsumatorit. Ndërkohë, falë filantropisë së disa qytetarëve një restorant me moton “Sofra e Iftarit” shtron iftare falas gjatë gjithë muajit të Ramazanit, kryesisht për persona me vështirësi ekonomike të cilët nuk mund të ja lejojnë vetes një iftar në ambient të hapur në Çarshinë e Shkupit.
“Sofra e Iftarit” ka katër vite që organizohet në Çarshinë e Shkupit si iniciativë qytetare e ndihmuar nga afaristë vendas si dhe nga bashkëkombësit në diasporë.
Duke vepruar kështu ky organizim në një farë mënyre mishërohet me emërtimin fetar që ka Ramazani, “muaji i mëshirës”.
Fatmir Dashi në cilësi të organizatorit, duke folur për AA, tregon se ky është viti i katërt që “Sofra e Iftarit” shtron mes 120 dhe 130 iftare falas në ditë, falë donatorëve të cilët janë anonim nga shkaku se nuk duan publicitet.
Te “Sofra e Iftarit” thotë ai, përveç të varfërve për të cilët është ideuar fillimisht, mund të takosh dhe ata besimtarë të cilët për shkaqe të ndryshme iftari i ka zënë jashtë shtëpive të tyre.
“Qëllimi kryesor është tejkalimi i situatave të rënda ekonomike me të cilat përballen qytetarët, por në këtë sofër mund të ushqehen edhe kalimtarët e rastit edhe studentët në mënyrë që bashkarisht të shijohet kënaqësia dhe të harrohen vështirësitë ekonomike”, thotë Dashi.
Sa i përket përzgjedhjes së Çarshisë si vend për realizimin e nismës, ai rrëfen se ideja ka patur si synim që përmes “Sofrës së Iftarit” ti jepet një impuls kësaj zone historiko kulturore të Shkupit, të ngjallet në kohë iftari.
“Çarshia e Vjetër e Shkupit si një ndër tregjet e vjetra kulturore dhe historike me realizimin e këtij projekti gjallërohet nga vet fakti se ka lëvizje të qytetarëve njëkohësisht duke e bërë afirmimin e saj”, shprehet Dashi i cili sqaron se donacionet bëhen në dy forma, qoftë përmes donacioneve në forme të lëngjeve, hurmave dhe bukës, qoftë përmes parave me të cilat i paguhen restorantit.
Organizatori thotë se ushqimi i cili tepron iu shpërndahet personave më në nevojë, ndërsa sqaron se njëra nga idetë të cilën po shqyrtojnë është që nga viti i ardhshëm personave të moshuar me vështirësi në të ecur ushqim tu dërgohet në shtëpi dhe të mos kenë nevojë të kalojnë rrugën e gjatë për të arritur në Çarshi./AA/