Specialja ‘nis gjahun’ në pjesën e parë të 2017-së

0
346

Pa hyrë në fuqi Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Holandës rreth vendit nikoqir të Gjykatës, nuk do të ketë nisje të proceseve gjyqësore. Megjithatë, gjithçka do të qartësohet në pjesën e parë të vitit 2017, kur pritet të jenë edhe akuzat e para për krime lufte. E në Kosovë thonë se në bankën e të akuzuarve pritet të ulen edhe figura të rëndësishme politike

Funksionalizimi i Gjykatës Speciale për Kosovën po shkon sipas planit dhe në koordinim me të gjitha instancat relevante. Rrjedhimisht edhe akuzat e para për ish guerilët e UÇK-së të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, do të nisin në pjesën e parë të vitit 2017.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, ka thënë se aktualisht janë duke u zgjedhur gjykatësit dhe presidenti i Dhomave të Specializuara. Vetëm më pas do të bëhet miratimi i rregullores së procedurës gjyqësore dhe provave nga gjyqtarët, i cili është një dokument kyç që rregullon kryerjen e procedimeve para Dhomave të Specializuara.

Megjithëkëtë, edhe pse Mbretëria e Holandës ka votuar pro ratifikimit të Marrëveshjes që parasheh vendosjen e Dhomave të Specializuara në këtë shtet, kjo ende nuk ka hyrë në fuqi.