Spitalet rajonale në gjithë Kosovën ballafaqohen me mungesa të mëdha, si të stafit të mjekëve, po ashtu edhe të infermierëve, por edhe me mungesë barnash e kushtesh të nevojshme për punë.
Bejtush Jaha, ushtrues detyre i drejtorit në spitalin e Ferizajt, ka folur lidhur me kushtet që mbretërojnë në këtë spital, si dhe frekuentimin e madh të pacientëve.
Aty, vetëm gjatë një viti (2016) kanë frekuentuar rreth 30 mijë pacientë dhe janë kryer 1300 operacione.
“Në këtë spital punojnë 240 punëtorë në një hapësirë me rreth 4 mijë metra katrorë, e që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e qytetarëve si shërbim dytësor. Ky spital mbulon afër 250 mijë banorë, por ndihmë kërkojnë edhe qytetarë nga Vitia e Lipjani, e që gjeografikisht do duhej të kërkonin ndihmë në spitalin e Gjilanit”.
“Kemi mungesë të stafit, si të lartë, po ashtu edhe të mesëm. Sidomos reparti i emergjencës funksionon vetëm me dy specialistë të emergjencës, e që ofrojnë shërbime 7 ditë në javë, 24 orë në ditë”, ka thënë Jaha.
Mungesa e kushteve bën që rastet që nuk mund të trajtohen aty, t’i referojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë se rastet, si ato neurologjike, kirurgjia vaskulare e disa të tjera, do të duhej të referoheshin nga spitalet rajonale, por ai shton se shpeshherë ndodh që rastet e referuara të jenë të panevojshme, dhe kjo, sipas tij, bën që Klinika Emergjente në Prishtinë të mbingarkohet.
“Me gjithë angazhimet e shumta në këtë klinikë, ne kemi ngritur çështjen e referimit. Te ne është një sistemim i pakontrolluar i referimit, qoftë nga spitalet regjionale, por edhe nga Qendrat e Mjekësisë Familjare. Do të ishte mirë që çdo rast i referuar, të nënshkruhet nga tre mjekë kujdestarë dhe të marrin përgjegjësinë pse e dërgojnë në qendrën terciare, në mënyrë që ne të ulim sistemin e referimit në nivel vendi”, ka deklaruar Lenjani.
Sfida më e madhe në spitalet rajonale, përfshirë edhe atë të Ferizajt, mbetet ajo me Klinikën Emergjente. Mjeku specialist i Emergjencës në spitalin e Ferizajt, Sefedin Fazliu, ka thënë se janë dy mjekë të kësaj fushe që duhet të kujdesen 24 orë në ditë, 7 herë në javë për gjithë pacientët që kërkojnë ndihmë emergjente.
“Ne jemi vetëm dy mjekë specialistë, që i mbulojmë të gjitha shërbimet. Sidomos kur bëhet fjalë për kujdestaritë, kemi shumë vështirësi, ndonëse shkëmbehemi me spitale tjera regjionale, si me spitalin e Mitrovicës, Prishtinës, por në të gjitha spitalet kanë mungesë”, ka bërë të ditur Fazliu duke shtuar se:
“Rastet që nuk mund të trajtohen këtu, sidomos ato me trauma në komunikacion dhe ato neurologjike, i referojmë. Fillimisht, i stabilizojmë këtu dhe më pas i përcjellim me autoambulancë”.
Ndërkaq, pacientët e shtrirë për trajtim në Spitalin e përgjithshëm të Ferizajit, ka në thënë se kujdesi nuk mungon. Xhevahir Blaku, vuan nga diabeti dhe është i shtrirë që 14 ditë në këtë spital. Ai ka treguar se ka mungesë barnash dhe ato duhet t‘i blejë vetë, mirëpo kujdesi është i mirë:
“Unë jam duke u trajtuar nga diabeti. Kam qenë shumë keq dhe jam hospitalizuar qe 14 ditë. Mjekët dhe motrat janë kujdesur shumë mirë, jam shumë i kënaqur. Por, barnat duhet t’i blej vetë. Ndërkaq, insulinën dhe kujdesin i marr në spital”.
Në anën tjetër, për kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, spitalet rajonale janë në gjendje më se alarmante.
“Ne kemi bërë në vitin 2013 një hulumtim, dhe prej atëherë asnjë veprim nga Ministria e Shëndetësisë nuk është ndërmarrë. Andaj, nëse vazhdon kjo gjendje, shumë departamente brenda spitaleve regjionale do të mbyllen. Ne nuk kemi staf i cili do të shkojë të punojë atje”.
“Ajo çka është emergjente, duhet bëhen politika që të punësohen kuadro, ndryshe do të mbyllen dhe gjithë kjo e mbingarkon Qendrën Klinike Universitare , dhe më pas nuk ka as shërbime cilësore në sistemin terciar”, ka vlerësuar Syla.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tashmë ka vizituar shumë spitale regjionale dhe ka thënë se është i përkushtuar për të ndihmuar spitalet dhe punonjësit shëndetësorë në rritjen e përgjegjësisë në punë, transparencës dhe llogaridhënies dhe se vizitat në spitale, kanë për qëllim identifikimin nga afër të problemeve reale që i ka sot shëndetësia në të gjitha nivelet e kujdesit.