Përmirësimi i klimës së biznesit, vendimtare për investimet e huaja

0
392

Puna që do të bëjmë brenda vendit për të përmirësuar akoma më tej klimën e biznesit, mbetet vendimtare për të përmirësuar investimet e huaja në Shqipëri, tha sot presidenti i Republikës, Ilir Meta i pranishëm në punimet e ditës së dytë të Takimit tre-ditor me ambasadorët e Shqipërisë në botë, “Ridimensionimi i Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi”, i mbajtur në Tirana Business Park.

Meta shprehu sigurinë se ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë nëpër botë do të bëjnë gjithçka për të promovuar turizmin dhe produktet shqiptare, për të rritur interesin e investitorëve të ndryshëm të Shqipërisë.“Kur vjen puna tek diplomacia ekonomike, besoj tek shembulli sidomos për një vend modest si i ynë që ka një treg relativisht të vogël. Prandaj na duhet të krijojmë sa më shumë shembuj pozitiv këtu që t’i promovojmë jashtë”, tha Meta.

Meta nënvizoi se objektivi i vendit është çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe u shpreh i sigurt se do të vijojnë përpjekjet për të përparuar në ecurinë për 5 prioritetet e BE dhe sidomos për Reformën në Drejtësi.Duke folur për shqiptarët e diasporës, Meta u shpreh se nevojitet një administrim më i mirë i marrëdhënieve me ta.“Shqiptarët jashtë janë potencial shumë i madh për Shqipërinë. Duhet të marrim anën e mirë të kësaj pasi një nga pjesët më vitale të shoqërisë tonë jeton jashtë vendit. Natyrisht ky është një problem, por edhe një avantazh duke pasur në konsideratë që shumë prej tyre janë të suksesshëm aty ku jetojnë””, tha presidenti Meta.