Spiunazhi evropian ndaj institucioneve evropiane shkakton thyerje në marrëdhëniet dypalëshe

Programi i zbatuar nga SHBA për të realizuar spiunazhin e partnerëve të tyre të BE-së shkaktoi një thyerje në besimin midis dy fuqive dhe rënien në një krizë të rëndë politike.

Përfaqësuesja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, i kërkoi Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry një sqarim më të shpejtë mbi situatën.

Komisionerja evropiane për Drejtësinë, Viviane Reding, i kërkoi gjithashtu ministrit amerikan të Drejtësisë, Eric Holder, të respektonte angazhimin për dhënien e informacioneve më të detajuara mbi programin e përgjimit “Prism”. Këto pyetje mbeten ende pa përgjigje.

Grupi i punës i organizuar nga BE dhe SHBA për shkëmbimin e të dhënave të qytetarëve evropianë të mbledhura nga programi “Prism”, pritet të mblidhet në fillim të korrikut.

Por, programi i përgjimit elektronik të ambasadave dhe delegacioneve të BE-së dhe vendeve anëtare, e tejkalon programin “Prism”.

“Nëse vërtetohet se amerikanët kanë spiunuar aleatët e tyre, do të ketë dëme politike. Kjo i tejkalon nevojat e sigurisë kombëtare. Është një thyerje e besimit, ndërkohë që ishim nisur për diçka serioze”, u shpreh një zyrtar evropian.

“Besoj se amerikanët e kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje. Ne vazhdojmë të presim përgjigjen e Uashingtonit”, shtoi ai.

“Ne nuk mund të negociojmë mbi një treg gjigant trans-atlantik nëse ekziston qoftë edhe dyshimi më i vogël se partnerët tanë përgjojnë zyrat e negociatorëve evropianë”, deklaroi dje Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, Reding./trt/kohaislame

Artikulli paraprakEgjipt – Opozita i jep afat Morsit deri nesër që të largohet nga pushteti
Artikulli vijuesLituania sot merr presidencën e BE-së