Stefanoviq: Monumenti i UÇPMB nuk do të kthehet, ajo ishte organizatë terroriste

0
198

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, thirrjes së deputetit shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi, për kthimin e monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, i është përgjigjur se “nuk do të lejojë ngritjen e terroristëve”.

Ministri Stefanoviq këtë përgjigje nuk ka pritur t’ia japë deputetit në Parlamentin e Serbisë, aty ku edhe u shtrua pyetja, mirëpo përmes agjencisë Tanjug ka qenë i shpejtë reagimi i tij.

 

“Ministria nuk do të lejojë ngritjen e terroristëve, pasi terrorizmi gjykohet nga e gjithë bota, ndërsa edhe Serbia i është përkushtuar kësaj lufte”, është shprehu ministri i MPB-së së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, transmeton Titulli.com.

 

Ai ka shtuar se thirrjet për kthimin e “monumentit të një formacioni paramilitar terrorist Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk janë me qëllim të mirë dhe çojnë në destabilizimin e situatës në jug të Serbisë”.

 

“Kemi policinë multietnike e cila në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme po kryen punën e saj dhe nuk dëshirojmë që çfarëdo qoftë provokimi politik të minojë përpjekjet dhe prioritetet e shtetit në luftën kundër varfërisë, për vende të reja të punës dhe një të ardhme më të mirë të qytetarëve”, është shprehu Stefanoviq.

 

Ministri, të martën ka kërkuar nga të përzgjedhurit në nivel lokal dhe shtetëror të kenë kujdes në veprimet e tyre.

 

“Pres nga të gjithë ata që janë përzgjedhur në funksione të vetëqeverisjeve lokale dhe në nivel shtetëror që të kenë kujdes në veprimet e tyre që të mos rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë në Serbi”, është shprehur ai.

 

Theksojmë se ministri Stefanoviq në këtë prononcim, UÇPMB-në e ka quajtur organizatë terroriste, derisa e njëjta në vitin 2001 ishte shpërbërë dhe me vendim të atëhershëm të ish Jugosllavisë ka amnistuar pjesëtarët e kësaj organizate.

 

Kujtojmë se deputeti i Partisë për Veprim Demokratik nga Bujanoci, Shaip Kamberi, në seancën e së martës të Parlamentit të Serbisë, kërkoi nga Ministri i Punëve të Brendshme që të dijë se kur do të kthehet monumenti i dëshmorëve të UÇPMB-së i hequr nga sheshi i Preshevës, duke nënvizuar se lapidari “nuk është subjekt i veprës penale dhe se që nga heqja padrejtësisht po mbahet në një lokacion të panjohur”.

 

Vazhdimi i seancës së Parlamentit të Serbisë, ku do të shtrohen pyetjet e deputetëve dhe merren përgjigjet nga ministrat, do të mbahet ditën e enjte. /Titulli.com/