Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka kritikuar ushtrimet ushtarake të NATO-s në pjesën lindore të Evropës, duke i cilësuar si “luftënxitëse”.
“Ajo që ne duhet ta evitojmë sot është provokimi i situatës me luftënxitje dhe me ecje të fuqishme”, i tha Steinmeier gazetës gjermane, Bild am Sonntag”, në një intervistë.
Sipas tij, është e gabueshme të mendohet se “ju mund ta shtoni sigurinë në aleancë me parada simbolike të tankeve afër kufijve lindorë”.
Më 13 qershor NATO-ja ka shpallur se do të vendos batalione të reja në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, për zbutjen e shqetësimeve të këtyre vendeve për agresionin rus, pasi Moska e ka aneksuar ilegalisht Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe i ka mbështetur separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha para dy ditësh, se Rusia po synon krijimin e “zonës së influencës me mjete ushtarake” dhe theksoi se Rusia po kryen “militarizim masiv” përgjatë kufijve të vet me vendet e aleancës ushtarake.
Rusia e ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s me ish-vendet sovjetike dhe tha se do të reagoj ndaj çfarëdo hapi të NATO-s për t’i shtuar kapacitetet ushtarake afër kufijve rusë.
Zyrtarët e NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm në samitin në Varshavë të Polonisë, që formalisht t’i miratojnë planet për vendosje të reja përgjatë krahut lindor të aleancës.