Stier-Hoxhaj: Kroacia mbështet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës

Ministrat biseduan për bashkëpunimin mes dy vendeve, statusin e pakicës serbe në Kosovë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës përfshirë atë në NATO, si dhe për mundësitë e Kroacisë të ndihmojë Kosovën në këto procese

Nënkryetari i qeverisë së Kroacisë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjet Evropiane, Davor Ivo Stier ka pritur në një takim në Zagreb, ministrin e Jashtëm të Kosovë, Enver Hoxhaj i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci, i cili ka theksuar se Zagrebi zyrtar ka shprehur përkrahje të plotë për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrat biseduan për bashkëpunimin mes dy vendeve, statusin e pakicës serbe në Kosovë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës përfshirë atë në NATO, si dhe për mundësitë e Kroacisë të ndihmojë Kosovën në këto procese.

Ministri kroat ka uruar Hoxhajn për nëntë vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës duke nënvizuar përkrahjen e plotë për integritetin territorial të saj, ndërkohë që u paralajmërua përforcimi i bashkëpunimit të të dyja ministrive përmes programit për bashkëpunim të akademive diplomatike për periudhën 2017-2019.

Ekspertët kroatë bashkë me ata polakë dhe gjermanë do të punojnë krahas me institucionet kosovare për ti ndihmuar ato në zbatimin e marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. “Përfshirja e barabartë e Kosovës në kartën amerikano-adriatike ka për qëllim të forcojë stabilitetin e Evropës Juglindore”, tha Stier.

Në mars, Kroacia dhe Kosova do të nënshkruajnë një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit doganor.

“Me qëllim të promovimit të stabilitetit në Evropën Juglindore kemi mbështetur dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura”, tha Stier.

Hoxhaj: Bashkësia e Komunave Serbe si dorë e zgjatur e Serbisë është e papranueshme për Kosovën

Duke folur për formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, Hoxhaj tha se vetë fakti se “përfaqësuesit politikë të pakicës serbe nuk u shfaqën në takimin të cilin e kishte thirrur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, flet se Beogradi nuk dëshiron që diçka e tillë të ndodhë.

Hoxhaj deklaroi se në takimet që ka pasur me përfaqësuesit evropianë së fundmi ka thënë se Kosova është e gatshme të zgjidh çështjen e pakicës serbe në Kosovë, por se ishte i shqetësuar nga vendimi i përfaqësuesve të pakicës serbe për të mos marrin pjesë.

“Më duhet të jem i qartë se Bashkësia duhet të formohet në përputhje me rregullat dhe Kushtetutën e Kosovës dhe në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që janë të shenjta për çka nuk do të ketë lëvizje as një milimetër. Nuk ka fjalë se Bashkësia do të ketë ndonjë pushtet ekzekutiv ose përtej atyre të parashikuara me marrëveshjen e Brukselit dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoxhaj sipas të cilit qeveria është e interesuar të integrojë serbët në bazë të planit të Ahtisarit.

Ai ka thënë se në veri të Kosovës ka një popullsi prej 30.000 serbëve të vendosur në lagje dhe fshatra të cilat nuk kanë ndonjë rëndësi gjeografike. “Prandaj, përpjekjet për të krijuar komunat serbe të cilat do të shërbejnë si një dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë janë të papranueshme për ne”, ka thënë Hoxhaj i cili ka folur edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është obligimi i ynë ndërkombëtar dhe nuk përfaqëson vetëm vullnetin tonë politik”, ka thënë Hoxhaj, duke iu referuar planit të njohur ndërkombëtarisht të Ahtisarit.

Artikulli paraprak“SHBA e vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me BE-në”
Artikulli vijuesParis, Berlin: Kritika Rusisë për pranimin e dokumenteve të separatistëve