Katja Drechsler, bashkëpunëtore e lartë në Akademinë e Feve të Botës në Universitetin e Hamburgut, thotë se janë mediat ato që nxisin islamofobinë në Perëndim, porse nuk duhet harruar as ndarja politike e pushtetit.
“Për fat të keq, sot ka shumë lajme të këqija që vijnë dhe që lidhen me Islamin dhe shtetet islamike, si mospërfillja e pakicave ose e mendimeve ndryshe në Pakistan ose në Arabinë Saudite. Kemi lajme për terrorizmin, që nga talibanët, 11 Shtatori deri te grupi militant Shteti Islamik. Përveç kësaj, dëgjojmë histori për martesa të detyruara, poligami dhe prerje të organeve gjenitale të femrave”, thotë Drechsler në një intervistë për Radio Europa e Lirë.
Ajo thotë se mediat “gjithmonë raportojnë vetëm për tmerret që ndodhin dhe shumë pak për të mirën dhe pozitiven”.
“Është e rëndësishme që publikut perëndimor t’i tregohet se edhe myslimanët jetojnë ndryshe në fenë e tyre dhe kjo varet prej shumë faktorëve. Por, jeta reale dhe prezantimi mediatik i kësaj jete janë me milje larg. Është e rëndësishme që të personalizohen gjërat, të flitet për jetë normale të njerëzve në Islam”.
“Për përafrimin e botës së krishterë dhe asaj islame duhet të përqendrohemi më shumë te ngjashmëritë dhe do të shohim se dallimet nuk janë të mëdha”, tha Drechsler.